Aktuale

Protesta e opozitës, blindohet Kryeministria! Gazetarja jep detajet

Gazetarja e Euronews Albania, Eksiola Shehu, këtë të premte dha më shumë detaje mbi mënyrën se si do të organizohet protesta kombëtare e Partisë Demokratike, e cila do të mbahet këtë të premte në orën 18:00 në bulevardin “Dëshmorët e Kombit”.

Gazetarja theksoi se janë të shumta pikëpyetjet se nëse protestuesit do të mbajnë një qëndresë apo jo, gjë që sipas saj do ta zbulojë vetë kreu i PD, Sali Berisha, në fjalimin e tij, i cili do të flasë i fundit nga gjithë anëtarët e tjerë që janë zgjedhur të flasin për këtë protestë.

“Protesta e katërt kombëtare do të mbahet në ambientet e bulevardit “Dëshmorët e Kombit” përpara Kryeministrisë kundër qeverisë. Është folur shumë nëse do të ketë një rezistencë apo qëndresë të protestuesve dhe zyrtarëve të Partisë Demokratike. Ky mister nuk u zbulua as ditën e djeshme për mediat, sa u pyet kryedemokrati Sali Berisha nga oborri i Parlamentit.

Misteri i madh mbetet kryengritja paqësore, siç e kanë konsideruar Berisha në çdo protestë, ndaj nuk ka zgjedhur që të nxjerrë detaje nga kjo protestë.

Tek pika organizative thuajse është i njëjti skenar, ku kemi ngritjen e një podiumi, i cili është me të njëjtin slogan si ajo e herës së kaluar. Të gjithë anëtarët që janë zgjedhur do të flasin në këtë podium dhe në fund do të jetë Sali Berisha ai që do e mbyllë fjalimin.

Bulevardi “Dëshmorët e Kombit” është bllokuar që orët e para të mëngjesit për qarkullimin e automjeteve. Ndërkohë, në godinën e qeverisë janë fortifikuar tre hyrjet kryesore. Midis bulevardit dhe godinës së qeverisë pritet të vendoset një gardh metalik, i cili do të ketë edhe një kordon të punonjësve të policisë.

Edhe ardhja e deputetëve të PD dhe e Sali Berishës do të jetë e njëjtë, i cili do të niset në këmbë nga bulevardi “Dëshmorët e Kombit”.

Ndryshe nga herët e tjera është orari, i cili më parë mbahej në orën 17:00, sot do të mbahet në orën 18:00″, u shpreh gazetarja.

Të Ngjashme