Ads: Merr BB VIP Falas me Premium 12 Mujore

Lajme

Protesta e OVL e UÇK-së, vjen reagimi nga zëdhënësi i LVV-së: Është dhjetë vjet me vonesë

 
   

Organizatat e dala nga lufta e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës do të mbajnë sot një protestë në Prishtinë, duke filluar nga ora 17:00 në kundërshtim të padrejtësive nga Gjykata Speciale dhe raportimeve se dosje e dokumente të Serbisë po përdoren nga Gjykata Speciale në procesin gjyqësor ndaj ish-krerëve të UÇK-së në Hagë.

Organizatat e dala nga lufta e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës në një konferencë të mbajtur të mërkurën u kanë bërë thirrje qytetarëve që të dalin masivisht në protestë, në mbrojtje të luftës çlirimtare.

E mbështetje për këtë protestë kanë deklaruar PDK, LDK, e AAK.

Ndërkaq, sot zëdhënësi i Lëvizjes Vetëvendosje, Arlind Manxhuka në një postim në Facebook ka shkruar lidhur me protestën e sotme të OVL e UÇK-së.

Ai ka paraqitur gjashtë pika, duke thënë se protesta është dhjetë vjet e vonuar.

Tutje, sipas tij, për më pak se pesë vjet qeveria Kurti ka paguar mbi 33 milionë euro për mbrojtjen e të akuzuarve në Hagë dhe shpenzimet e tjera atje.

Postimi i Manxhukës

– Protesta është dhjetë vjet e vonuar. Është dashur që në verën e vitit 2015 të kundërshtohet pushteti i atëhershëm.

– Nuk mund të ndryshohet historia e Kosovës dhe lufta çlirimtare por as historiku i themelimit të Gjykatës Speciale.

– Kosova ka nevojë për gjykata normale që dalin pas vettingut dhe për kryeprokuror të ri e jo për gjykata speciale jotransparente të cilat janë jashtë praktikave ndërkombëtare.

– ⁠Për më pak se pesë vjet qeveria Kurti ka paguar mbi 33 milionë euro për mbrojtjen e të akuzuarve në Hagë dhe shpenzimet e tjera atje.

– ⁠Në intervistën e tij nga Haga para një jave, ish presidenti dhe ish kryeministri Thaçi ishte tepër i butë me Gjykatën Speciale. Protestat nuk mund ta zëvendësojnë a kompensojnë mungesën e qëndrimit të tij.

– ⁠Fatkeqësisht, në vitin e pestë që po mbahen në paraburgim ish drejtues të UÇK-së, është e qartë që partia kryesore opozitare çështjen e tyre e ka përdorur shumë më tepër kundër qeverisë Kurti sesa për lirimin e të akuzuarve.