Policia e Tiranës ka referuar materialet në Prokurorinë e Posaçme për deputetin e Partisë Demokratike, Klevis Balliu. Ky veprim i policisë lidhet me protestën e zhvilluar nga opozita, ku sipas uniformave blu Balliu ka shkelur ligjin “Për Përgjegjësinë Penale të Personave Juridikë” si dhe veprën penale të organizimit dhe pjesëmarrjes në grumbullime dhe manifestime të paligjshme.
Ndërkohë janë arrestuar edhe katër persona. Ata, sipas policisë, ka ushtruar akte të dhunshme, kanë kundërshtuar punonjësit e policisë si dhe kanë hedhur molotov dhe lëndë piroteknike në drejtim të efektivëve dhe Vilës 31. Gjatë kësaj kohe sipas uniformave blu brenda godinës ndodheshin persona brenda, mes të cilëve shtetas të huaj duke rrezikuar sigurinë e tyre.
“Si pasojë janë shkaktuar dëmtime në këtë godinë, si dhe janë dëmtuar 32 kosha mbeturinash të vendosura nga Bashkia Tiranë. Në cilësinë e provës materiale janë sekuestruar objekte dhe sende të hedhura (molotovë dhe lëndë piroteknike), të cilat janë dërguar për ekspertime të mëtejshme kriminalistike”, njoftoi policia.
Ndërkohë në gjendje të lirë është proceduar një 16-vjeçar të cilit iu gjet me vete municion i dyshuar për armë sportive.
Kujtojmë se në protestën e 28 shkurtit nga opozita pati hedhje të lëndëve piroteknike dhe molotovëve. Protestuesit marshuan drejt disa institucioneve ndërsa policia u kundërpërgjigj me ujë me presion dhe gaz lotsjellës.
