Aktuale

Protesta në Maqedoni të Veriut dhe Serbi, priten ndalesa dhe kolona në kufi me Kosovën

 
   

Qendra e Menaxhimit Kufitar e Kosovës ka njoftuar se shoqata e transportuesve nga Maqedonia e Veriut do të organizojë sot një protestë, e cila pritet të nisë nga ora 12:00.

Si pasojë e kësaj proteste, autoritetet kanë paralajmëruar se do të ketë ndalim të qarkullimit për transportuesit e mallrave, çka mund të shkaktojë vonesa dhe vështirësi në qarkullimin kufitar me Kosovën.

“Protesta do të mbahet në territorin e Republikës së Maqedonisë së Veriut, ndërsa në territorin e Republikës së Kosovës mund të krijohen kolona të gjata kamionësh, të cilët do të presin për të kaluar në territorin e Republikës së Maqedonisë së Veriut”, thuhet në njoftimin zyrtar.

Po ashtu, në të njëjtën kohë, QKMK-ja ka bërë të ditur se nga sot, në të gjitha pikat kufitare të Kosovës me Serbinë do të ndërpritet qarkullimi i kamionëve.

Sipas njoftimit zyrtar, arsyeja e kësaj ndalese do të jenë protestat që do të organizohen nga shoferët si pasojë e masave të ndërmarra nga Bashkimi Evropian për shoferët e kamionëve të rajonit.

Po ashtu është bërë e ditur se protesta do të mbahet në territorin e Serbisë dhe mund të zgjasë shtatë ditë.

 
 
 
 

 

Të Ngjashme