Ads: Merr BB VIP Falas me Premium 12 Mujore

Lajme

Protesta për çmimin e grurit ndalohet në Veternik, bujqit: Më shtrenjtë blihet gruri i importuar nga Serbia

Çmimi prej 17 centë i grurit ka bërë që disa bujq të protestojnë sot në Prishtinë.

Por, protesta paqësore e destinuar për në Ministri të Bujqësisë u ndalua në Veternik, pasi policia nuk ishte e informuar për të, shkruan IndeksOnline.

Bujqit shprehen pakënaqësitë e tyre me vlerësimin e grurit në treg, duke thënë se kostoja e kultivimit ka qenë e lartë.

Madje, sipas tyre, më shtrenjtë po shitet kashta e grurit, sesa vet gruri.

Ilir Gashi, bujk nga Lipjani, deklaroi për IndeksOnline se protesta paqësore nuk u realizua ashtu siç planifikohej, teksa kërkesat e vetme të bujqve protestues ishin që të apelojnë për çmimin e grurit.

“Çmimi i grurit është bërë 18 centë, në disa vende 17. Sindikata e Bujqësisë e ka lënë çmimin me 17 centë. Ne nuk kemi leverdi. Unë punoj që 20 vjet tokën, por me këto çmime që janë rritë, e gruri ka rënë, nuk kemi leverdi. Vitin e kaluar është paguar me 21 centë, plus kanë qenë shtesat e Ministrisë, që e ka vlerësu 4 centë për kilogram. Tash, e kanë zbritë në 17-18 centë, e shpenzimet janë bërë edhe një herë më të mëdha”, deklaron Gashi.

Në anën tjetër, Bunjamin Jashanica, ka bërë kërkesë tek organet shtetërore të rregullojnë çmimin, duke thënë se gruri i importuar nga Serbia po vlerësohet më shumë sesa ai i prodhuar në Kosovë.

“Kemi dalur të protestojmë kundër çmimit 17 centë sepse është plotësisht i paarsyeshëm dhe plotësisht i padrejtë. Gruri që importohet prej Serbisë e deri këtu e arrin vlerën në 24 centë për kilogram. Pse gruri vendor të mos ketë çmim të paktën 20 centë? Kostoja, nga fillimi e deri në përfundim, e mbjelljes dhe të gjithave, ka qenë 800 deri në 900 euro” deklaroi për IndeksOnline Jashanica.

Sipas tij, bujqit duhet të kenë një çmim bazë, për të kultivuar grurin, e jo të përcaktohet nga individë jokompetentë.

“Kërkesa është të marrin masa, nga Ministria e Bujqësisë e deri te kryeministri. Ne e mbajmë mirë në mend kur kanë dalur dhe u kanë bërë pengesë mallrave të Serbisë, përse të mos ketë një pengesë edhe për grurë?” u shpreh Jashanica.

Protesta paqësore u shpërnda nga policia. Por, bujqit thanë se sërish do të mblidhen për të protestuar, radhës tjetër përpara objektit të Ministrisë.