Aktuale

PS mblidhet nesër për Ballukun, Ulsi Manja paraqet raportin mbi kërkesën e SPAK për masë arresti – Çfarë pritet nga socialistët

Partia Socialiste do të zhvillojë nesër një mbledhje të grupit parlamentar, ku do të jenë të pranishëm deputetët dhe ministrat. Në fokus të diskutimeve do të jetë analiza e vitit të kaluar dhe strategjia për muajt në vijim.

Sipas njoftimeve, mbledhja do të nisë në orën 11:00. Fillimisht pritet të marrë fjalën kryeministri Edi Rama, i cili do të japë qëndrimin e tij si për kabinetin qeveritar, ashtu edhe për kërkesën e SPAK për heqjen e imunitetit dhe dhënien e lejes për arrestimin e Belinda Ballukut.

Për këtë çështje do të paraqesë raport edhe ministri i Drejtësisë, Ulsi Manja, i caktuar relator nga Partia Socialiste. Më pas, do të jetë grupi parlamentar ai që do të vendosë qëndrimin për votën në seancën e 5 marsit.

NJë tjetër skenar është votimi kundër kërkesës së SPAK, ndërsa opsioni i tretë mbetet mbështetja e saj.

Ndërkohë, ndërkombëtarët, përfshirë Bashkimin Europian dhe veçanërisht Gjermaninë, kanë theksuar rëndësinë e pavarësisë së SPAK dhe nevojën për një vendimmarrje të shpejtë nga Kuvendi.

SPAK ka paraqitur kërkesën për masë arresti ndaj Belinda Ballukut më 16 dhjetor, ndërsa Kuvendi ka afat deri më 16 mars për t’u shprehur. Në mbledhjen e 23 shkurtit, prokurorët e SPAK deklaruan se disponojnë prova të reja, përfshirë pretendime për kërcënim të dëshmitarëve dhe rëndim të pozitës penale të Ballukut.

Sipas Rregullores së Kuvendit, brenda dy javëve nga mbledhja e Këshillit të Mandateve duhet të paraqitet raporti në seancë plenare. Deri më tani, palët janë të ndara: Partia Demokratike është shprehur pro dhënies së lejes për arrest, ndërsa Partia Socialiste, në parim, ka konsideruar se pezullimi nga detyra i Ballukut është i mjaftueshëm, por pa një vendim përfundimtar.

Të Ngjashme