Shëndetësia

Pse dhemb shpina gjatë gripit apo ftohjes? Arsyeja do t’ju befasojë

Ekspertët zbulojnë mekanizmin “e fshehtë” që qëndron pas këtij simptomi të zakonshëm

Dhimbja e shpinës është një nga ato simptoma që shpesh befasojnë kur shfaqen bashkë me gripin apo një ftohje të zakonshme. Edhe pse shumëkush fillimisht mendon për një problem me shpinën, shkaku nuk është shtylla kurrizore, por mënyra se si trupi reagon ndaj virusit.

Sinjalet e trupit që tregojnë se ftohja po përkeqësohet dhe të gjitha ndërlikimet e saj

Dhimbja e shpinës shpesh shoqëron gripin, ftohjen apo COVID-19, por ky simptom nuk është vetëm pasojë anësore e infeksionit. Pas tij qëndron një komunikim i ndërlikuar mes sistemit imunitar dhe trurit.

Gjatë një infeksioni viral aktivizohet një mekanizëm që shkencëtarët e quajnë sinapsë neuroimune, një lloj ndërveprimi mes sistemit nervor dhe atij imunitar. Ky ndërveprim ndihmon organizmin të njohë kërcënimin dhe të aktivizojë reagimet mbrojtëse, por njëkohësisht mund të rrisë ndjesinë e dhimbjes në muskuj dhe nyje.

Është interesante se ky efekt shpesh ndihet më shumë pikërisht në pjesën e poshtme të shpinës. Studiuesit supozojnë se kjo zonë është veçanërisht e ndjeshme ndaj sinjaleve neuroimune që krijohen gjatë infeksionit, prandaj dhimbja dhe ngurtësimi shfaqen shpesh në këtë pjesë të trupit.

Edhe pse ky fenomen është i njohur në mjekësi, mekanizmat që qëndrojnë pas tij ende nuk janë plotësisht të qarta dhe mbeten objekt i kërkimeve intensive në fushën e neuroimunologjisë, shkruan The Conversation, përcjell Telegrafi.

Bazat e imunologjisë: si trupi sinjalizon infeksionin
Sistemi imunitar është si një shpatë me dy tehe: mbron trupin nga infeksionet, por njëkohësisht na “njofton” për punën e tij përmes simptomave që tregojnë se në trup po zhvillohet një betejë.

Kur trupi zbulon një infeksion, sistemi imunitar çliron citokina, proteina sinjalizuese që koordinojnë reagimet mbrojtëse. Këto molekula nuk ndikojnë vetëm në sistemin imunitar, por dërgojnë sinjale edhe në tru dhe palcën kurrizore, duke ndryshuar sjelljen dhe fiziologjinë tonë, shpjegon dr. Joshua Pate, ligjërues i lartë i fizioterapisë në Universitetin e Teknologjisë në Sydney.

Rezultati janë simptomat e njohura:

• lodhje,
• humbje e oreksit,
• temperaturë
• dhe ndjeshmëri e shtuar ndaj dhimbjes.

Këto ndryshime kanë një qëllim praktik, e drejtojnë energjinë drejt luftës kundër infeksionit dhe nxisin pushimin. Prandaj, kur jemi të sëmurë, shpesh tërhiqemi nga aktivitetet e përditshme dhe ndiejmë mungesë vullneti apo plogështi, përshkruan dr. Mark Hutchinson, profesor i neuroimunofarmakologjisë në Universitetin e Adelaide.

Ndryshimet e padukshme në trup gjatë sëmundjes
Gjatë infeksioneve, trupi aktivizon një sërë reagimesh vetëmbrojtëse që ndikojnë edhe në mënyrën se si e përjetojmë botën përreth. Prekja mund të bëhet e dhimbshme, muskujt të tensionuar, ndërsa lëvizjet që zakonisht janë të këndshme, të lodhshme.

Komunikimi mes sistemit imunitar dhe trurit gjithashtu dërgon sinjale se jemi të sëmurë, apo na bën të ndihemi të tillë.

Këto ndryshime fillojnë në nivel molekular. Ndryshime të vogla, “të padukshme” në tru dhe palcën kurrizore mund të ndryshojnë humorin, perceptimin e dhimbjes dhe reagimet shqisore. Kur sinapsat neuroimune aktivizohen në pjesët e trurit që përpunojnë informacionin shqisor, dhimbja mund të rritet edhe në pjesë të trupit ku nuk ka infeksion, më shpesh në pjesën e poshtme të shpinës, thotë prof. dr. Hutchinson.

Kjo ndjeshmëri e shtuar ndaj dhimbjes, e njohur si alodini dhe hiperalgjezi, tregon sa i sofistikuar është komunikimi mes sistemit imunitar dhe atij nervor. Një ndryshim i vogël molekular mund të ndikojë në gjithë përjetimin e trupit gjatë sëmundjes.

Kujtesa imune dhe ndjenja e sëmundjes
Sistemi imunitar nuk ndalet kur virusi apo bakteret tërhiqen.

Te infeksionet si COVID-i apo gripi, ky reagim ndihmon në krijimin e kujtesës imune mbrojtëse, prandaj ndonjëherë shfaqet ndjesi të përzierash apo dobësie edhe pas vaksinimit. Kjo është shenjë se trupi mëson dhe përgatitet për takime të ardhshme me patogjenin, thekson prof. dr. Hutchinson.

Ky komunikim mes sistemit imunitar dhe trurit gjithashtu dërgon sinjale se jemi të sëmurë, ose na shtyn të ndihemi të tillë. Pas disa infeksioneve virale, ndjenja e sëmundjes mund të zgjasë më shumë se vetë infeksioni, fenomen i vërejtur te COVID-i afatgjatë.

Dhimbja e fortë apo e vazhdueshme, veçanërisht nëse shoqërohet me simptoma të tjera, kërkon vlerësim mjekësor.

Është interesante se gratë, të cilat mesatarisht kanë një reagim imunitar më të fortë se burrat, më shpesh përjetojnë simptoma më intensive dhimbjeje. Ndërsa një përgjigje më e fortë imune ofron mbrojtje ndaj infeksioneve, ajo gjithashtu rrit rrezikun për gjendje inflamatore, përfshirë sëmundjet autoimune, thotë dr. Pate.

Kur duhet shqetësuar dhe si të lehtësohet dhimbja
Dhimbja e fortë apo e vazhdueshme, sidomos nëse shoqërohet me simptoma të tjera, kërkon vlerësim mjekësor. Dhimbja e lehtë deri mesatare në pjesën e poshtme të shpinës është e zakonshme gjatë infeksioneve dhe zakonisht zhduket me tërheqjen e sëmundjes.

Përveç trajtimit të infeksionit bazë, ekzistojnë strategji për lehtësimin e dhimbjes neuroimune, thotë dr. Pate, duke përmendur:

• ruajtjen e një mikrobiome të shëndetshme përmes ushqimit të larmishëm dhe qëndrimit në natyrë,
• gjumë cilësor,
• hidratim
• reduktim të inflamacionit.

Studimet tregojnë se receta tradicionale, si supa e pulës, mund të zvogëlojnë sinjalet imune në sinapsën neuroimune, ndërsa meditimi i vetëdijshëm, terapia me ujë të ftohtë dhe frymëmarrja e kontrolluar shkaktojnë ndryshime molekulare që ndihmojnë në rregullimin e sistemit imunitar dhe atij nervor autonom, shton dr. Pate.

Këto praktika jo vetëm që lehtësojnë dhimbjen, por shtojnë edhe një komponent anti-inflamator në përgjigjen imune, duke ulur intensitetin dhe kohëzgjatjen e simptomave.

Trajtimet me nxehtësi, si kompresat apo termoforët, përmirësojnë qarkullimin dhe japin lehtësim, ndërsa ilaçet kundër dhimbjes pa recetë mund të ndihmojnë, por gjithmonë me kujdes për ndërveprimet e mundshme me terapi të tjera, këshillon dr. Pate.

Fuqia e mendjes mbi trupin – ndihmë reale, por jo magji
Ndikimi i mendjes mbi trupin nuk është mit, por nuk është as i pakufizuar. Studimet tregojnë se pritshmëritë dhe praktikat mendore, si kontrolli i frymëmarrjes, meditimi dhe terapia me ujë të ftohtë, mund të shkaktojnë ndryshime në nivel qelizor dhe molekular.

Kuptimi i mekanizmave të dhimbjes së shpinës gjatë infeksioneve hap mundësinë për ta kontrolluar atë më efektivisht. Kombinimi i këtyre teknikave me strategjitë bazë për ruajtjen e shëndetit ofron shpresë reale për reduktimin e shqetësimeve. Megjithatë, nëse simptomat bëhen të forta ose zgjasin më shumë se pritet, është e domosdoshme vlerësimi mjekësor, përfundon prof. dr. Hutchinson.

Të Ngjashme