Ads: Merr BB VIP Falas me Premium 12 Mujore

Lajme

Publikohet udhëzuesi për përfitimin e shtesave për fëmijë dhe lehona

Ministria e Financave, Punës dhe Transfereve ka miratuar udhëzuesin rreth zbatimit të Shtesave për Fëmijë dhe Lehona.

Në udhëzuesin e përditësuar përmenden informatat si në vijim:

Shtesat për fëmijë

Të gjithë fëmijët nga mosha 0 deri në 16 vjeç që janë rezident në Kosovë kanë të drejtë në përfitim nga shtesat për fëmijë;

Familjet me 1 ose 2 fëmijë – përfitojnë 20€ në muaj për secilin fëmijë;

Familjet me 3 ose më shumë fëmijë – përfitojnë 30€ në muaj për secilin fëmijë;

Aplikimi bëhet nga nëna e fëmijës përmes platformës eKosova, dhe mjetet kalojnë në llogarinë e saj bankare.

Në rastet kur nëna ka ndërruar jetë apo nuk është shtetase e Kosovës, babai ose kujdestari ligjor mund të aplikojë me dokumentacionin përkatës.

Në situata specifike si:

Prindër të divorcuar;

Nëna ka braktisur fëmijën;

Kujdestaria i është dhënë babait me vendim gjykate apo nga QPS – aplikimi bëhet nga babai në rolin e kujdestarit ligjor.

Në rastet kur fëmija është në strehim rezidencial, atëherë aplikimi bëhet nga entiteti strehues përkatësisht punonjësi i autorizuar nga entiteti i cili hap një llogari bankare për fëmijën ku depozitohen mjetet e shtesave për fëmijë.

Shtesat për lehona

Të drejtë për përfitim kanë të gjitha lehonat rezidente në Kosovë:

Lehonat e papuna – përfitojnë 325.9€ në muaj për 6 muaj me radhë, nëse kanë qenë të papuna për së paku 9 muaj nga 12 muajt e fundit para lindjes (sipas të dhënave të ATK).

Lehonat e punësuara – përfitojnë 325.9€ për 3 muaj me radhë.

Aplikimi bëhet brenda 90 ditëve nga data e lindjes së fëmijës.

Verifikimi i plotësimit të kritereve për përfitim

Nëse fëmija është i lindur në Kosovë dhe aplikimi për shtesa bëhet brenda 3 muajve nga lindja, përfitimi miratohet automatikisht pa pasur nevojë për verifikim shtesë.

Ndërsa në rastet kur fëmija është i lindur jashtë Kosovës, apo kur aplikimi bëhet pas 3 muajve, atëherë lënda kalon në procedurë të verifikimit, ku kërkohen dokumente plotësuese për të vlerësuar të drejtën në përfitim.

Departamenti i Skemave Sociale (DSS) ka të drejtë të kërkojë dokumentacion për verifikim të kritereve:

Certifikatë të vendbanimit;

Dëshmi nga shkolla për vijim të rregullt;

Dëshmi vaksinimi nga institucionet shëndetësore;

Faturë të rrymës;

Regjistrim të bashkësisë familjare në ASK, etj.

Në rast të mospërmbushjes së dokumentacionit, mund të ndodhë pezullimi i përkohshëm i përfitimit deri në përmbushjen e kërkesave apo ndërprerja e përfitimit në rast se rezidenca e përfituesit nuk verifikohet.

Nëse ndodh pezullimi apo ndërprerja e përfitimit pa një vendim të arsyetuar, përfituesi ka të drejtë të dërgojë ankesë në Komisionin e Ankesave brenda 30 ditëve nga pranimi i vendimit.

Për më shumë informata për mënyrën e aplikimit, procedurën e verifikimit apo kriteret që duhet të plotësoni për të përfituar nga shtesat për fëmijë dhe lehona, ju lutem vizitoni vegëzën në vijim:

https://mfpt.rks-gov.net/desk/content/media/6a0302bd-eec7-4525-8e17-14b9dbca8cd7.pdf