Ushtruesi i Detyrës së Kryeprokurorit të Shtetit, Agron Qalaj morri pjesë në punëtorinë njëditore ndërmjet Prokurorive Themelore, Gjykatave Themelore dhe Odës së Avokatëve, e cila u organizua nga Këshilli Gjyqësor i Kosovës (KGJK) dhe Gjykata Supreme e Kosovës.
Sipas njoftimit, qëllimi i kësaj punëtorie ishte forcimi i bashkëpunimit institucional, adresimi i çështjeve me interes të përbashkët dhe shkëmbimi i përvojave institucionale, për funksionimin efikas të sistemit të drejtësisë në vend.
Me këtë rast U.D. Kryeprokurori Qalaj theksoi rëndësinë e koordinimit të ndërsjellë ndërmjet institucioneve të drejtësisë, në funksion të rritjes së efikasitetit, transparencës dhe besimit të publikut në sistemin gjyqësor.
“Diskutimi i hapur ka vazhduar tutje me një qasje konstruktive dhe dialog të drejtpërdrejtë ndërmjet pjesëmarrësve, me fokus në identifikimin e zgjidhjeve praktike për tejkalimin e pengesave të evidentuara në punën e përditshme”, thuhet në njoftim.
Takimi vijoi me diskutime të mëtejme nga të pranishmit për hapat e ardhshëm, me qëllim të koordinimit të rregullt dhe shkëmbimit të informacioneve ndërmjet institucioneve përkatëse.
Në këtë punëtori morën pjesë edhe kryeprokurorët e gjitha prokurorive themelore në vend.
