Qarku i Lezhës po përballet me temperatura të larta, të cilat pritet të vijojnë edhe në ditët në vazhdim, duke shtuar rrezikun e zjarreve.
Pas paralajmërimeve të Institutit të Gjeoshkencave, strukturat e Mbrojtjes Civile në bashkitë Lezhë, Kurbin dhe Mirditë janë vendosur në gatishmëri për çdo emergjencë.
“Ky raport që na vjen nga Instituti i Gjeoshkencave nëpërmjet AKMC-së, Qendrës Operacionale të mbrojtjes civile, ne jua përcjellim çdo ditë në momentin që vjen te bashkitë.
Normalisht bashkitë dhe prefektura kanë hartuar planet e emergjenca civile për reagimet në kohë”, tha Nikoll Tushi, përgjegjës i MC, Prefektura Lezhë.
Strukturat e Mbrojtjes Civile u bëjnë thirrje banoreve të tregojnë kujdes maksimal, të shmangin çdo veprim që mund të shkaktojë zjarr dhe të njoftojnë menjëherë autoritetet në rast të konstatimit të vatrave, për të mundësuar një ndërhyrje sa më të shpejtë.
“Qytetarët duhet me patjetër të njoftojnë në kohë shërbimet e specializuara siç janë me zjarrfikësit, strukturat e mbrojtjes nga zjarr dhe shpëtimi në gjithë qarkun Lezhë”, theksoi Nikolli.
Gjatë qershorit dhe korrikut në qarkun e Lezhës janë regjistruar disa zjarre, të cilat, falë ndërhyrjes së shpejtë të strukturave përgjegjëse, janë vënë nën kontroll pa shkaktuar dëme të konsiderueshme në pyje dhe pronat e qytetarëve./rtsh.al/
