Publicisti dhe analisti politik Gani Qarri ka deklaruar se nivelin e aftësive politike të AAK-së e ka vlerësuar vetë populli i Kosovës, duke e renditur këtë parti në fund të listës dhe buzë rënies nën pragun zgjedhor.
Ai tha se çështja e zgjedhjeve të reja mbetet ende në dorën e Gjykatës Kushtetuese, prej nga — sipas tij — do të varet rrjedha e zhvillimeve të ardhshme politike në vend.
“Sa i takon asaj nëse do të ketë apo jo zgjedhje të reja, çështja ndodhet ende në Gjykatën Kushtetuese, prej nga varet se si do të vijojnë zhvillimet politike,” u shpreh Qarri.

Gani Qarri
Sipas tij, përveç LVV-së me letrën e kryeministrit Kurti, asnjë parti tjetër nuk ka kërkuar shqyrtim kushtetues të dekretit të presidentes në detyrë, Vjosa Osmani, për shpërbërjen e Kuvendit dhe shpalljen e zgjedhjeve të parakohshme.
Ai theksoi se partitë opozitare e kanë të vështirë të hyjnë në koalicione parazgjedhore, jo vetëm me Lëvizjen Vetëvendosje, por edhe mes tyre, duke shtuar se pikërisht te opozita ekziston frika më e madhe nga zgjedhjet e reja.
“Ekziston pasiguri e madhe nga frika e një rezultati edhe më të dobët dhe e një gjendjeje fragjile paszgjedhore,” tha ai.
Qarri shtoi se një rënie e mundshme e votave do t’i detyronte udhëheqësit opozitarë të mbanin përgjegjësi, madje edhe të largoheshin nga drejtimi i partive.
Ai tha gjithashtu se PDK dhe LDK nuk e kanë prioritet koalicionin parazgjedhor ndërmjet tyre dhe se u mungon uniteti për formimin e një qeverie të përbashkët edhe pas zgjedhjeve.
Sipas tij, kundër shkuarjes në zgjedhje të reja duket se janë edhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe Bashkimi Evropian, prandaj nuk beson se deklaratat e zyrtarëve të AAK-së mund ta detyrojnë vendin të shkojë në zgjedhje të jashtëzakonshme.
“Vetëm për shkak të deklaratave paushallë të zyrtarëve të AAK-së nuk mund të detyrohet vendi të shkojë në zgjedhje të reja,” u shpreh ai.
Qarri vlerësoi se kjo parti në zgjedhjet e 28 dhjetorit për pak sa nuk ra nën pragun zgjedhor dhe nuk konsiderohet faktor vendimtar politik.
Ai paralajmëroi se shpërbërja e Kuvendit do ta linte pezull çështjen e presidentit edhe pas zgjedhjeve të reja — postin që, sipas tij, ka shkaktuar krizën aktuale politike.
“Çështja e presidentit do të mbetej e pazgjidhur edhe pas zgjedhjeve, pavarësisht se pikërisht për këtë post kanë nisur tensionet politike,” tha Qarri.
Në fund, ai theksoi se zgjidhja e vetme për të dalë nga kriza dhe për të shmangur zgjedhjet e reja është që Gjykata Kushtetuese të rrëzojë dekretin e kontestuar të presidentes Osmani, t’ia rikthejë Qeverisë afatin 60-ditor për zgjedhjen e presidentit dhe t’i obligojë deputetët të marrin pjesë në votim.
“Deputetët duhet të qëndrojnë në seancë dhe të votojnë pro, kundër ose abstenim, sepse vetëm kështu mund të zgjidhet kriza e krijuar,” përfundoi ai.
