Ads: Merr BB VIP Falas me Premium 12 Mujore

Lajme

Qasja e BE-së ndaj Kosovës, a do të duhej Amerika të marrë rol aktiv në dialog?

Takimi ndërmjet kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti dhe presidentit serb, Aleksandër Vuçiq, nuk ka dhënë rezultate, kurse kryeministri i Kosovës ka “akuzuar” ndërmjetësuesit e BE-së, Miroslav Lajçak për një-anshmëri e koordinim me presidentin serb.

Ndaj kryeministrit Kurti ka reaguar përfaqësuesi i Shteteve të Bashkuara të Amerikës për dialog, Gabriel Escobar, i cili në një intervistë për median vendore ka thënë se ai nuk sheh dëshmi një-nashmërie e as ndonjë dëshmi për marrëveshje të fshehtë.

Sipas tij, pala nga Kosova duhet të tregojë pragmatizëm dhe më shumë realizëm.

“Ne, vërtet, po i bëjmë thirrje palës së Kosovës që të jetë më konstruktive. Dhe, më duhet të them që jam pak i shqetësuar nga mesazhet që vijnë nga Prishtina. Unë kam punuar me përfaqësuesin e posaçëm të Bashkimit Evropian [Miroslav Lajçak]. Unë nuk shoh asnjë dëshmi njëanshmërie. Unë nuk shoh asnjë dëshmi për marrëveshje të fshehtë në punën për të çuar përpara interesin e Serbisë në këtë.

Ajo çfarë po përpiqemi të bëjmë, ajo që po përpiqet të bëjë BE-ja është krijimi i kushteve për normalizim dhe, gjithashtu, për harmonizimin për integrim në Bashkimin Evropian në të njëjtën kohë. Pra, mendoj se përgjigjja është që të dyja palët t’i dyfishojnë përpjekjet, por pala kosovare të tregojë më shumë pragmatizëm dhe më shumë realizëm në qasjen e saj ndaj Bashkimit Evropian”, deklaroi Escobar.

Duke folur rreth mundësisë që Amerika të marrë rol aktiv në dialog, pas qasjes së BE-së, analistët politikë thonë se ajo tashmë është e përfshirë në dialog për shtyrjen e proceseve të rëndësishme. Sipas tyre, ata janë të kyçur, por Kosova duhet të bashkëpunojë më tepër.

Xani: ShBA është angazuar në shtyrjen e proceseve

Image
Analisti politik, Visar Xani

Analisti politik, Visar Xani, thotë se ShBA-ja ka qenë e përfshirë në mënyrë aktive në procesin e dialogut.

Ai BE-në e sheh një nga palët, por kryesore në dialog e sheh ShBA-në.

“Shtetet e Bashkuara të Amerikës çdoherë kanë qenë të përfshirë në mënyrë aktive në procesin e dialogut dhe gjithçka tjetër në këtë proces kanë qenë ata pjesa më besuese e Kosovës dhe pjesa kryesore që i kanë shtyrë proceset e marrëveshjeve të caktuara. Prandaj, konsideroj se BE është një nga palët, por Shtetet e Bashkuara të Amerikës janë pala kryesore në këtë proces. Ndoshta që Kosova ka pasur më shumë kontakte me disa vende të BE-së e që faktikisht në aspekt nëse mund të quaj të lehtësirave teknike udhëheq BE-ja, por në aspekt të shtyrjes së proceseve të rëndësishme, diplomatike e kryesore janë ShBA-të dhe me misionin e saj janë të angazhuar në këtë proces”, pohon Xani.

Asociacioni është çështja e cila kishte “përplasur” në të kaluarën dhe vazhdon t’i “përplas” mendimet e palëve në dialog.

Duhanaj: SHBA, është e kyçur në dialog, por ne duhet të jemi bashkëpunues me ta

Kurse, analisti politik Leon Duhanaj, thotë se kryeministri Kurti në mars asociacionin e quante “vet-menaxhim”, ndërsa tani kur vjen koha për implementim konfrontohet me të gjithë.

Image
Leon Duhanaj

“Për mendimin tim, problemi bazik i shqiptarëve historikisht ka qenë vetvetja, përderisa kanë arsyetuar, apo mashtruar popullin dhe veten, kinse të tjerët po na dëmtojnë. Edhe në ketë rast, Qeveria e Kosovës, përkatësisht Kryeministri Kurti, e ka zgjedhur rrugën e dezintegrimit europian. Nëse e shikojmë aktivitetin e tij 20 vjeçar, ketë e konstaton menjëherë. Asnjë burrështetas amerikan, asnjë Ambasador, i SHBA-së nuk ishte i mirë për të. As Trump e Grenell, as tash Biden e Escobar. Për ta luftuar Grenell-in në atë kohë, t’ia dëshmuar që Kosova nuk është Meksikë por Evropë dhe se Lajçak është partneri ynë i mirë. Që nga marrja e pushtetit absolut, Kurti ka bërë çdo gjë që ta dëmtojë Kosovën.

Ai filloi me luftën e targave për të përfunduar me bllokadë dhe dezintegrimin total të serbëve. Veç para ca kohësh në mars, pranoi një marrëveshje, përmes së cilës heq dorë nga njohja reciproke me Serbinë dhe e cila u mundëson Serbeve me shumë se asociacion. E maskoi duke e quajtur vet-menaxhim, tash kur vjen koha për implementim, e luan “patriotin” duke u konfrontuar me të gjithë. Ai akuzoi Lajçakun dhe BE-në për mbajtje ane, duke mashtruar qytetarët se ata sollën propozimin serb, por vetëm pak me vonë u përgënjeshtrua dhe u demantua nga të gjithë. Madje edhe nga amerikanët”, deklaron Duhanaj.

Ai ShBA-në e sheh të kyçur në dialog, por sipas tij, Kosova duhet të jetë më bashkëpunuese me ta.

“SHBA, është e kyçur në dialog, por ne duhet të jemi bashkëpunues me ta. Nëse kërkojmë mbështetje prej tyre, për ta siguruar ekzistencën tonë si shtet e komb, atëherë duhet edhe të dëgjojmë çfarë na sugjerojnë ata, jo të “kullosim” në perëndim e të ëndërrojmë në lindje. Kjo qasje, u ka kushtuar çdoherë shqiptarëve dhe kam frikës se do të na kushtojë edhe tani. Albin Kurti, nuk është me qëllime të mira. Synimet e tij, janë kryekëput anti shtetërore e besa edhe antikombëtare. Ky ka për qëllim degradimin gradual dhe maksimal te shtetit në të gjitha poret. Desintegrimin dhe izolimin. Varfërimin, indoktrinimin dhe përçarjen, në mënyrë që mos të ketë të ardhme të sigurt. Në fund kur ta përmbys të tërën, do ta lëshoj Kosovën sepse nuk ndjen asgjë për të”, shton Duhanaj.