Qeveria e Shqipërisë ka vendosur sot të ulë me 20% akcizën e karburanteve, pak orë para mbledhjes së Bordit të Transparencës, ku pritet të vendoset rritja e çmimit të naftës.
Në një deklaratë për mediat, ministri i Financave, Petrit Malaj, bëri të ditur se akti normativ për uljen e akcizës do të mbetet në fuqi deri në stabilizimin e situatës ndërkombëtare që ka ndikuar në çmimet e naftës.
“Sot kemi ndërmarrë këtë masë për të amortizuar efektet e rritjes së çmimit të naftës në tregjet ndërkombëtare, sidomos gjatë 48 orëve të fundit,” tha ministri Malaj.
Sipas aktit normativ, ulja e akcizës do të zbatohet nëse çmimi i shitjes me pakicë të Bordit të Transparencës arrin mbi 220 lekë për litër për naftën dhe mbi 200 lekë për litër për benzinën.
Ministri theksoi se qeveria është e angazhuar të mbrojë qytetarët dhe ekonominë e vendit nga efektet financiare të këtij konflikti ndërkombëtar.
