Ads: Merr BB VIP Falas me Premium 12 Mujore

Lajme

Qeveria ne detyrë akuzon opozitën: Fondet nga Plani i Rritjes po vonohen për shkak të bllokadës së tyre

 
   

Qeveria ne detyrë ka akuzuar partitë e deritashme opozitare për bllokim të rrugës integruese të Kosovës dhe përfitim nga Plani i Rritjes i BE-së.

Këshilltari i Besnik Bislimit zëvendëskryeministrit në detyrë, Klisman Kadiu tha për RTV21 se ish-opozita me bllokimin e funksionimit të Kuvendit dhe krijimin e institucioneve të reja, po shkakton dëm të madh financiar për Kosovën.

“Kosovën aktualisht po e penalizon bllokada e palogjikshme dhe e dëmshme të cilën opozita po e bën. Qartazi kjo opozitë e ka braktisur interesin shtetëror dhe qytetar duke e mbivendosur interesin partiak mbi atë shtetëror. Bllokada e opozitës filloi së pari me moskonstituimin e Kuvendit dhe mospranimin e vetë mandateve të tyre, e që tash po vazhdon me mosvotimin për komisionin për votim të fshehtë dhe mosvotimin për zgjedhjen e kryeparlamentares. Në këtë drejtim, duke bllokuar funksionimin e Kuvendit dhe krijimin e institucioneve të reja, rrjedhimisht opozita po shkakton dëm të madh financiar për Kosovën dhe zvarritje të nisjes së zbatimit të reformave në kuadër të Planit të Rritjes. Ky dëm i madh financiar vjen jo vetëm nga vonesa në marrjen e parafinancimit prej 7% të BE-së nga Plani i Rritjes, që arrin shumën e rreth 61 milionë eurove, por edhe të 90 milionë eurove të alokuara nga Banka Botërore për Kosovën, të cilat po presin ratifikimin nga Kuvendi. Opozita nuk ka marrë mandat që të bllokojë progresin e shtetit mbarë dhe avancimin e Kosovës drejt integrimit në familjen evropiane dhe aspiratën e vendit tonë dhe qytetarëve për anëtarësim në BE”, tha Kadiu

Sipas Kadiut fondet e BE-së nga plani i rritjes nuk do të humben por qartazi po vonohen si pasojë e bllokadës opozitare në Kuvend. “Si qeveri kemi realizuar negociata të suksesshme me Komisionin Evropian mbi Planin e Rritjes, duke arritur ta finalizojmë të parët agjendën e reformave dhe dëshmuar nivelin e lartë të përgatitjes së institucioneve tona. Fondet nuk do të humben, por qartazi po vonohen si shkak i bllokadës së opozitës në kuvend. Opozita duhet të thirret në logjikë e arsye, në mënyrë që pamaturia e tyre të mos i kushtojë vendit tonë”, tha Kadiu

Dje ne Samitin e liderëve te vendeve te Ballkanit Perëndimor dhe atyre te BE-se, komisionarja për zgjerim e BE-se, Marta Kos tha se për Kosovën po e presin formimin e Qeverise se re. Ndërkaq pas Samitit ne një komunikate BE-ja inkurajoi Kosovën ta përshpejtoje procesin e miratimit te marrëveshjeve sa i përket Planit të Rritjes ne mënyrë qe te zhbllokohet pagesa e parafinancimit.