
Qeveria në detyrë ka marrë një sërë vendimesh të premten që ndërlidhen me investime dhe projekte infrastrukturore në komunat e Kosovës.
Derisa në Kosovë po zhvillohet fushata zgjedhore për zgjedhjet lokale, ekzekutivi mori vendim për shpronësimin për interes publik të shumë pronave të paluajtshme të cilat preken nga projekte të ndryshme në disa prej komunave në vend.
Ekzekutivi shpronësoi pronat për ndërtimin e ndërtesave të banimit të përballueshëm dhe social në Komunën e Podujevës.
Kryeministri në detyrë i Kosovës, Albin Kurti tha se ky investim arrin vlerën prej 13.6 milionë euro.
Kurti: Me këtë vendim të sotëm finalizohet procesi i shpronësimit për ndërtimin e 131 njësive të banimit
“Shqyrtimi i propozim vendimit përfundimtar për shpronësim për interes publik të pronave të paluajtshme të cilat preken nga realizmi i projektit ndërtimi i ndërtesa të banimit të përballueshëm dhe social për komunën e Podujevës…Podujeva është një nga 13 komunat që ka aplikuar për zbatim të këtij projekti. Me këtë vendim të sotëm finalizohet procesi i shpronësimit për ndërtimin e 131 njësive të banimit atje, prej tyre 106 për banim të përballueshëm dhe 27 për banim social. Ky është një investim i madh në vlerë prej 13.6 milionë eurosh e ku punimet po vijojnë tutje”, tha Kurti.
Përveç kësaj, në mbledhjen e qeverisë u miratua vendimi për shpronësimin e pronave për projektin e modernizimit të ujësjellësit në Gjilan.
Kurti potencoi se ky projekt është shumë i rëndësishëm për komunën e Gjilanit, derisa përmendi se vlera e projektit është 15 milionë euro.
Kurti: Një projekt në vlerë prej 15 milionë euro që garanton furnizim të qëndrueshëm me ujë për qytetarët e Gjilanit
“Shqyrtimi i propozim vendimit përfundimtar për shpronësim për interes publik të pronave të paluajtshme të cilat preken nga realizimi i projektit Flows i financuar nga Banka Botërore dhe ndërmarrja rajonale për ujësjellës Hidromorava sh.a në zonën kadastrale Ibër Lepenc komuna e Gjilanit. Ky projekt është jashtëzakonisht i rëndësishëm për komunën e Gjilanit. Një projekt në vlerë prej 15 milionë euro që garanton furnizim të qëndrueshëm me ujë për qytetarët e kësaj komune, përderisa i ulë shumë humbjet teknike”,
Krahas kësaj qeveria në detyrë transferoi mbi 2 milionë euro për subvencionimin e blerjes së teksteve dhe materialeve mësimore për vitin shkollor 2025/2026.
Kurti: 2 milionë e 41 mijë euro transferohen për subvencionimin e teksteve shkollore
“Shqyrtimi i kërkesës për transferimin e mjeteve buxhetore deri në… të ndarjes së ndikuar negativisht për vitin 2025 për subvencionim e blerjes së teksteve dhe materialeve mësimore për vitin 2025/2026. Ministria e Financave, punës dhe Tranfereve ka sjellë për aprovim kërkesën e Ministrisë së Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit për transferin e mjeteve buxhetore në shumë prej 2 milionë e 41 mijë euro për subvencionimin e teksteve dhe materiale shkollore për vitin 2025/2026”, tha Kurti.
Përveç këtyre, qeveria në detyrë sot mori edhe disa vendime të tjera.