Lajme

QIPS: Mosfunksionimi i sistemit të shëndetit mendor një nga faktorët për rastin e 5-vjeçarit në Lipjan

Qendra për Informim dhe Përmirësim Social (QIPS) ka shprehur shqetësim të thellë lidhur me rastin e keqtrajtimit të 5-vjeçarit nga Lipjani, i cili po trajtohet në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës (QKUK), duke vlerësuar se mosfunksionimi i sistemit të shëndetit mendor ka qenë një nga faktorët kryesorë që çuan në këtë rast.

Sipas reagimit të QIPS-it, rreth katër vjet më parë fëmijët e kësaj familjeje ishin larguar përkohësisht nga Qendra për Punë Sociale, pas raportimeve për kushte të rënda jetese dhe neglizhencë, të lidhura me probleme të shëndetit mendor të nënës. Në atë kohë, ajo ishte trajtuar në Klinikën Psikiatrike në Prishtinë, ndërsa më pas fëmijët ishin kthyer në familje.

Megjithatë, sipas QIPS-it, familja ka mbetur pa mbështetje dhe pa monitorim të vazhdueshëm nga shërbimet e shëndetit mendor gjatë viteve në vijim, çka sipas tyre ka rritur rrezikun për situata të rënda.

Organizata thekson se, në praktikë, sistemi nuk arrin të ofrojë mbështetjen e nevojshme në komunitet pas trajtimit spitalor, për shkak të mungesës së resurseve dhe mbështetjes institucionale për qendrat e shëndetit mendor e për këtë e ka drejtuar gishtin te Ministria e Shëndetësisë.

Në parim, pasi që të lirohet individi nga klinika e psikiatrisë duhet të referohet si rast në Qendrën e Shëndetit Mendor (QShM) më të afërt (në këtë rast QShM të Prishtinës) për mbështetje të mëtutjeshme në komunitet dhe me vizita të rregullta nga QShM, ku stafi profesional shëndetësor mbështet dhe mbështetet nga Qendra për Punë Sociale, dhe ka mundësi që të sigurohet për mirëqenien e prindërve si dhe të fëmijëve para se të përfundojnë rastet në tragjedi. Ndërkaq në praktikë kjo është e pamundur që të ndodhë, për shkak se këto qendra janë krejtësisht të pambështetura nga Ministria e Shëndetësisë. Sipas informatave që kemi, QShM e Prishtinës ka vetëm një veturë (për dallim nga qendrat tjera të cilat as këtë formë të transportit nuk e kanë të sigurt), e cila është siguruar nëpërmjet donacioneve të jashtme. Pra, është krejtësisht e pamundur që të kryhet një funksion bazik i sistemit të shëndetit mendor, i cili potencialisht do ta parandalonte një tragjedi”, thuhet në reagimin e tyre.

QIPS-i ka ngritur shqetësimin se raste të tilla nuk janë të izoluara, por janë pasojë e një neglizhence të gjatë institucionale në fushën e shëndetit mendor.

Në fund, kjo organizatë i ka bërë thirrje Ministrisë së Shëndetësisë që të ndërmarrë masa urgjente për fuqizimin e shërbimeve të shëndetit mendor në komunitet dhe përmirësimin e mbështetjes për personat që përballen me këto probleme.

Pesëvjeçari aktualisht po trajtohet në QKUK dhe është në gjendje stabile. Sot iu nënshtrua një intervenimi kirurgjik. 

Të Ngjashme