Ads: Merr BB VIP Falas me Premium 12 Mujore

Lajme

Qytetarët kërkojnë zhbllokim të Kuvendit

 
   

Dështimet e njëpasnjëshme të ligjvënësve në përpjekjet për konstituimin e Kuvendit kanë nxitur reagime të ndryshme. Qytetarët shprehen të zhgënjyer me situatën e krijuar. Disa nga ta i shohin si zgjidhje zgjedhjet e reja, e të tjerë presin marrëveshje politike.

“Më së paku janë të interesuar për shtet dhe për popull ndërsa vet pozitat e tyre si deputet, tash po vjen e shtata seancë me radhë, duhet me pagu meditje, me bë shpenzime, kot së koti. Ata aspak nuk e bëjnë hesap që na qytetarët presim dicka prej tyre, me shku përpara. Mu më duket që kjo duhet me qenë e shkurt dhe me shku në zgjedhje të reja, me i eleminu të gjithë këta që e bojkotojnë në këtë mënyrë zgjedhjen e Kuvendit të Kosovës,” tha Hilmi Durmishi, qytetar.

“Pse spo munden me pru një vendim, se di pse e kane lidhur veç me një njeri, ka deputet të tjerë,” tha Enver Rexhepi, qytetar.

Edhe njohës të çështjeve politike thonë se dëmi më i madh në këtë situatë u shkaktohet qytetarëve.

“Për fat të keq, klasa politike kosovare nuk është shumë e vetëdijshme për dëmet që ia shkakton shtetit të Kosovës, qytetarëve të Kosovës. Çdo ditë e humbur pa qeveri shkakton shumë telashe, shkakton shumë ngecje. Në një botë dinamike ku shumë procese po zhvillohen, Kosova, nëse ngec, nëse nuk është në nivel bashkëpunues me faktorët vendimmarrës global, atëherë çdo sekondë do të jetë humbje e madhe edhe në aspekt politik dhe në aspekt ekonomik,” tha Artan Muhaxhiri, analist.

Seanca konstituive pritet të vazhdojë nesër.