Qytetarët janë ankuar se faturat e rrymës kohëve të fundit po u vijnë më shtrenjtë.
Ata kanë kërkuar nga institucionet përkatëse ndërhyrje urgjente për t’i kontrolluar njehsorët elektrikë.
Blerim Berisha, qytetar i lagjes Kodra e Trimave thekson se rryma është shumë e shtrenjtë, duke thënë se është ankuar por se nuk ka marrë ende asnjë përgjigje për këtë.
“Po është duke na ardhë rryma shumë shtrenjtë në lagjen Vranjevc, Kodra e trimave dhe këtë muaj na ka ardhur dyqind euro, që i kemi gjërat elementare çka i shkojnë një familjeje, kështu që është tepër shtrenjtë dhe jemi shumë pak dhe kërkojmë që urgjent të ndërhyjnë institucionet që janë përkatëse, t’i kontrollojnë edhe matësit dhe t’i ndërrojnë se është duke na ardhë rryma shumë shtrenjtë. Jena anku po deri më tani kurrfarë përgjigje s’kemi”, tha Berisha.
Kurse, Sylejman Muçiqi thotë se fajtor për këtë është kryeministri i vendit, Albin Kurti.
“E kena kontrollu por nuk ka kurgjë, një mijë euro, 700 euro, 500 euro është ky muaji i fundit, këta rrencat, hajdukat, hajnat e kanë rrokë në dorë, s’ka kurgjo, s’janë të interesuar për popull, për veti po vjedhin sa po mujnë a për neve s’po ka kurgjo. Fajtor është Kurti, krejt punët e tij janë, se dy mijë euro me kanë, ka një euro me t’i vjedh bëjnë dy mijë euro, dy qind mijë euro vetëm ka një euro me ta marrë për orë boll është për të. Janarin një mijë euro rrymë, qaty e kam faturën, qetash ndaq shkoj ta bi një mijë euro, e fundit qetash është pesë qind euro rrymë”, tha Muçiçi.
Synavere Llapaj, qytetare tjetër thotë se në adresën ku ajo jeton këtë muaj nuk kanë pranuar fare faturë, pasi që siç thotë ajo punëtorët e KEDS-it kanë qenë në adresën e saj dhe kanë kontrolluar njehsorin elektrik.
“Jo me kontrollu se kam kontrollu, po para pak ditësh erdhën e këqyren por nuk lanë faturë, e nxorrën faturën e morën me veti as s’lanë faturë, as nuk thanë kurgjo, duhet me kontrollu orën më thanë, thashë kontrollone ora është qaty nuk e ka prekë kërkush, as unë vetëm jam aty, kështu që nuk ka ardh më kurrë kërkush, kurrë nuk e dijmë se çka është duke u bë. Domethënë një muaj ka kaluar, ne fatura s’kemi me pagu, e kur t’i bijnë një Zot e din sa kanë më e pru. Jo hiq s’kanë pru faturë, s’kanë lanë faturë as hiq kurgjë. Jo se e kam pyet edhe asajde kojshitë domethënë, nuk kanë lënë faturë as te ta edhe kërkush nuk din asgjë. Sma merr mendja që mundet me ndryshu ora, se qajo orë ka qenë prej fillimit, unë që 20 vjet jam qaty, smundet me ndryshu ora, qashtu qysh i kanë qitë qashtu edhe i kemi pagu”, tha LlapaJ.
Lidhja Demokratike e Kosovës ka bërë një hulumtim ku sipas tyre njehsorët elektrike janë duke matur gabimisht energjinë elektrike.
Sipas tyre, energjia elektrike po matet gjithmonë me të shtrenjtën, ani pse nga ora 22:00 është thënë së matet me të lirën.
Ndërsa, nga KEDS në një konferencë për media kanë deklaruar se njehsorët elektrikë masin me saktësi energjinë dhe se nuk ka fare manipulim.
