Ads: Merr BB VIP Falas me Premium 12 Mujore

Lajme

Rama BE- së: S’mund të jemi në një linjë nëse nuk i ktheni mesazhin Serbisë

Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, ka sqaruar qëndrimin e tij se përse nuk e ka përkrahur deklaratën e përfaqësuesit të BE-së, Josep Borrell, lëshuar më 19 shtator për dialogun Kosovë – Serbi.

Ai ka thënë se kjo lidhet me zhvillimet e fundit në Kosovë ku rreshteri i PK-së u vra nga grupi terrorist, e për “nderimin” e anëtarëve të vrarë nga ky grup Serbia shpalli ditë-zie kombëtare.

Rama në një qëndrim të tij të publikuar në Facebook, tha se nuk mund të jenë në një linjë me BE-së, derisa nuk kemi një deklaratë që dënon veprimin – mesazhin që dha Serbia, kur shpalli ditë –zi e kombëtare.

“Ky qëndrim lidhet me faktin se deklarata e BE-së është një deklaratë e cila se jo se në vetvete ka problem, pasi që adreson gjithçka që është thënë më parë lidhur me detyrimet e Kosovës me dialogun, por ka një problem të madh, që nuk i përgjigjet realitetit të ditëve të fundit. Dhe ne e kemi të pamundur të linjëzohemi me BE-në pa parë një deklaratë të dytë që adreson problematikën e ditëve të fundit ku ka ndodhur një zhvillim dramatik, pasi është vrarë një efektiv i PK-së nga një grup kriminalnga që ka qenë qartësisht i investuar për të ushtruar terror në veriun e Kosovës, gjë që është pasuar nga shpallja e një ditë zie kombëtare në Beograd. Kjo për ne është e papranueshme, është e pajustifikueshme, madje është e dënueshme, sepse është jo-evropiane dhe sepse njëkohësisht është sinjali më i keq që Serbia mund të jepte në këtë moment për gjithë rajonin dhe për Evropën”, ka thënë kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, përcjell teve1.info

Në deklaratën e datës 19, pas dështimit të dialogut, Borrel u shpreh: “BE-ja u kërkon palëve të angazhohen në mënyrë konstruktive dhe me mirëbesim. Kjo nënkupton fillimin e zbatimit bazuar në propozimin e BE-së pa vonesa të mëtejshme, i cili gjithashtu përfshin detyrimin e të dyja palëve për të zbatuar plotësisht të gjitha marrëveshjet e dialogut të kaluar. Puna për themelimin e Asociacionit/Bashkësisë së Komunave me Shumicë Serbe duhet të fillojë pa ndonjë vonesë apo parakusht të mëtejshëm”.

Pas takimit më 14 shtator, nga Bashkimi Evropian deklaruan se kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, nuk ishte i gatshëm të ecë përpara me dialogun, ndryshe nga presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiç, i cili “e ka pranuar propozimin e tyre” për zbatimin e Marrëveshjes bazë për normalizimin e marrëdhënieve Kosovë-Serbi. Borrell pas takimit të 14 shtatorit deklaroi se Kurti kishte këmbëngulur që fillimisht të formatizohet njohja de facto e Kosovës nga Serbia.

Kurti në Bruksel tha se “kushtëzimi i Serbisë” për formimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe “është shndërruar në qëndrim të emisarëve të BE-së”. Kryeministri kosovar tha se në takim kishte paraqitur një plan të tij për zbatimin e marrëveshjes, por shtoi se ky propozim u refuzua nga blloku evropian dhe Beograd.

Tags: