Kryeministri Edi Rama diskutoi sot në episodin e 10-të të sezonit të gjashtë të podkastit “Flasim” me profesor Arjan Gjonçaj lidhur me gjyqin e komandantëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK) në Hagë.
Gjoncaj u shpreh se ka mbetur i habitur nga mungesa e mbështetjes financiare nga shteti i Kosovës për specialistët dhe ekspertizën e nevojshme për mbrojtjen e të akuzuarve.
Rama u shpreh se kishte diskutuar çështjen me njerëz të ndryshëm dhe se nuk e kishte trajtuar drejtpërdrejt me kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti.
“Unë nuk e kam diskutuar këtë gjë nga afër me kryeministrin, me Albinin, por unë besoj që kjo nuk është, në këtë pikë nuk mund të them se e ka bërë këtë gjë ose se nuk e ka bërë këtë gjë për arsye politike. Unë besoj që ai ka pasur frikë ta bëjë këtë gjë për të mos rënduar pozicionin e tyre, sepse pozicioni i tij në raport me BE-në, në raport me SHBA-të nuk është një pozicion komod”, tha Rama.
“Nuk e di sa kanë dhënë, me siguri kanë dhënë më shumë se ne me siguri. Ne kemi ndihmuar më shumë me sensibilizim”, tha Rama.
“Besoj që ai nuk ka dashur të ekspozohet si person që po rrotullon thikën ndaj sistemit ndërkombëtar, ndërkohë që ka qenë haptazi kundër atij tribunali”, tha Rama.
“Unë besoj që kjo mosmbështetja nga ana e Albinit ka qenë një çështje mosekspozimi”, tha Rama.
Kryeministri gjithashtu u shpreh se nuk ka pozicion në Kosovë.
“Unë s’kam fare pozicion atje në Kosovë. Unë s’kam dashur kurrë të ndërhyj në punët e tyre. Më është dukur qesharake kur kanë tentuar të ndërhyjnë këtu. Po tani sikur s’po e bëjnë më se e morën mësimin. Pjesa tjetër pastaj është nevojë për të qenë të drejtë dhe për të qenë vetja”, tha Rama, transmeton ATSH.
Rama e mbylli podkastin duke thënë se dëshira e zjarrtë e tij dhe profesor Gjonçajt është që udhëheqësit e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës të kthehen në shtëpi.
