Lajme

Rama dhe Vuçiç propozojnë model të ri për BE-në, Mustafa hedh dyshime të forta

Opinionisti Xhevat Mustafa, në një prononcim për “Bota sot”,  deklaroi se draft-raporti për Shqipërinë, megjithëse i formuluar me gjuhë diplomatike dhe inkurajuese, rikthen pothuajse të njëjtat “detyra shtëpie” që nga nisja e procesit të integrimit në BE: forcimin e shtetit ligjor, luftën kundër korrupsionit e krimit të organizuar, funksionimin e institucioneve demokratike, lirinë e medias dhe reformat socio-ekonomike.

Sipas tij, mbyllja e negociatave deri në vitin 2027 varet nga zbatimi real dhe i qëndrueshëm i reformave, jo nga deklaratat politike. Ai shton se progresi duhet të matet me rezultate konkrete dhe standarde të verifikueshme.

Duke iu referuar të dhënave të INSTAT-it dhe burimeve europiane, Mustafa vlerëson se Shqipëria mbetet ende larg standardeve të BE-së, pavarësisht retorikës optimiste të qeverisë.

Image
Opinionisti Xhevat Mustafa

 “Sipas draftit, si zakonisht me dokumente të kësaj natyre dhe si me të mëparshmit për Shqipërinë, hartuar me dashamirësi diplomatike dhe me doza të larta poziviteti dhe vlerësimesh inkurajuese apo nxitëse, përparësi apo “detyra shtëpie” për klasën politike dhe qeverisëse të Shqipërisë mbeten edhe për të ardhmen, thuajse të gjitha ato që kanë qenë qysh nga nisja e rrugëtimit të Shqipërisë për anëtarësim të plotë në BE. Konkretisht ato janë: forcimi i shtetit të së drejtës; lufta kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar; garantimi i funksionimit të plotë të institucioneve demokratike; mbrojtja e lirisë së medias; përshpejtimi i reformave social-ekonomike…Nuk janë detyra as të pakta dhe as lehtësisht të plotësueshme…  Në projekt-rezolutë theksohet qartë se rruga drejt mbylljes së negociatave deri në fund të vitit 2027 do të varet nga zbatimi real dhe i qëndrueshëm i reformave kyçe. Dokumenti nënvizon se progresi formal në procesin teknik të negociatave duhet të shoqërohet me rezultate konkrete në praktikë, në mënyrë që Shqipëria të avancojë drejt anëtarësimit të plotë në Bashkimin Europian. Draft-raporti pritet të diskutohet dhe votohet në strukturat përkatëse të Parlamentit Europian në muajt në vijim. Është bërë e qartë qysh në fillim dhe është bërë e kuptueshme se “procesi i zbatimit real dhe të qëndrueshëm të reformave kyçe” është afatgjatë, kompleks, i ndërlikuar. Ai nuk varet dhe përcaktohet nga dëshirat fjalareske dhe zotimet euforike në tribuna politike në Shqipëri apo në Bruksel dhe në kryeqytete të tjerë të vendeve të Bashkimit Europian. Më toç apo më shqip, ky proces vlerësohet dhe pranohet si i suksesshëm dhe i përmbyllur nga arritjet dhe shifrat konkrete; nga treguesit dhe standardet e kontrollueshëm e të shikueshëm; nga realiteti konkret shqiptar dhe jo nga ai i reklamuar me bojëra dhe video marramendëse nga qeveria dhe “bojaxhinjtë” e saj rrogëtarë apo gjase të pavarur. Për të pasur një informacion sa më të saktë për ecurinë e procesit të kryerjes së reformave dhe të ofrimit me standardet e BE-së nga Shqipëria ndihmojnë disa shifra, tregues, fakte, që “dhurohen” si nga INSTAT-i qeveritar në Tiranë, ashtu edhe nga EUROSTAT dhe qendra të tjera vlerësimi, anketimi, statistikash…Nga shumica e të dhënave të publikuara prej tyre këto dy vitet e fundit del përfundimi se ndryshe nga sa është reklamuar në tribuna partiake dhe qeveritare të PS-së e në mediat proqeveritare, Tirana-Shqipëria vazhdon të jetë akoma shumë larg standardeve të BE-së, në mënyrë figurative, edhe sa janë gjeografikisht larg njeri-tjetrit Surreli nga Brukseli!?”, tha ai.

Po ashtu, Mustafa sjell edhe shifra nga anketime ndërkombëtare, duke theksuar se Shqipëria ka rënë nga 42 në 39 pikë në raportin e fundit për luftën kundër korrupsionit, duke humbur 11 vende në renditjen globale dhe duke u pozicionuar e 91-ta.

Sipas tij, kjo tregon se ligjet ekzistojnë, por nuk zbatohen, ndërsa vendi mbetet pas edhe krahasuar me fqinjët si Mali i Zi, Maqedonia e Veriut dhe Kosova.

 “Fakte e shifra nga anketime ndërkombëtare.

-Nga 42 pikë që kishte në vitin 2024, Shqipëria e ka mbyllur me 39 pikë raportin e vitit 2025 për luftën kundër korrupsionit, duke humbur 3 pikë dhe rënë me 11 vende në renditjen globale, në pozicionin e 91.Më mirë në renditje se Shqipëria janë Mali i Zi dhe Maqedonia e Veriut. Por shumë më mirë se Shqipëria është edhe Kosova, ndërsa vendi ynë renditet në kategorinë e vendeve afrikane. Një gjë e tillë do të thotë se ligjet ekzistojnë në letër, por nuk zbatohen në realitet.Bllokimi i luftës kundër korrupsionit shfaqet shumë qartë në rastin e dosjes së Belinda Ballukut.

 Se në ç’ gjendje është Shqipëria në krahasim edhe me standardet mesatare të BE-së e shprehin edhe disa ngjarje e fakte të freskëta të këtyre 3 muajve të fundit. Në dhjetor 2025 dhe janar 2026 u përmbytën pas 1 ore shi disa qytete, sidomos në zonat bregdetare. Ndërsa në fund shkurt 2026 patën shembje dhe bllokime disa rrugë automobilistike kombëtare në Shqipërinë Jug- Lindore, duke paralizuar ndjeshëm për disa ditë lëvizjen e banorëve të Pogradecit dhe Korçës! Në mbrëmjen e dt 1mars 2026, natë me yje e hënë, ikën dritat dhe interneti për dy orë në disa blloqe afër qendrës së Tiranës. Ne mesditën e 2 marsit, ditë me diell, ora 14.30, 15.30… nuk punonte sistemi i internetit në disa institucione zyrtare dhe shëndetësore, përfshirë edhe Spitalin Hygea…!   Këto ndërprerje janë të shpeshta edhe nëpër zyra institucionesh qeveritare e shtetërore. Edhe në ambulanca lagjesh, në Zyra postare, të OSSHE, UKT, të këmbimit valutor, në të cilat paguhen edhe faturat e dritave e të ujit…Edhe nëpër sekretari shkollash, në zyra avokatie, në zyra të gjendjes civile, ne agjenci imobilare, funerale…! Shkurt: shtet pa shtet dhe pa qeverisje funksionale 24 orëshe dhe 365 ditëshe!? SHQIP fare: për nga standardet e përditshme, jo të denjë për në BE!  Sipas treguesve apo fakteve të përjetueshëm nga shumica e banorëve akoma të gjallë e në Shqipëri, vendi është akoma larg edhe standardeve minimale të BE për pagat dhe pensionet, për punësimin dhe papunësinë; për nivelin e jetesës e të varfërisë. Ndërsa mund të quhet kampione për disa tregues negativë si korrupsioni, emigracioni, trafiqet e drograve dhe pastrimi i parave kriminale apo të pista…”, ka shtuar ai.

Tutje, Mustafa shprehet se gjatë 12 viteve të qeverisjes së Edi Rama, Shqipëria nuk ka arsye për mburrje, por për shqetësim, duke përmendur pensionet e ulëta, varfërinë, emigrimin masiv të të rinjve, ndotjen e mjedisit, kanabizimin dhe mungesën e infrastrukturës hekurudhore funksionale.

Ai shtoi se largimi i 45–75 mijë të rinjve çdo vit drejt Perëndimit përbën alarm kombëtar, pavarësisht se – siç thotë ai – qeveria e paraqet situatën ndryshe.

“ Shqipëria e këtyre 12 viteve mund të mburret se është e para apo kampione…:                                                                               

– për nivelin më të ulët të pensioneve të ulët dhe mesatar…!?                                                                   

 – për rreth 47% të popullsisë me nivelin minimal të varfërisë!?                                                                                  

– për emigrimin afatgjatë apo të përhershëm…                                                                                                           

 -për ndotjen e ajrit dhe të ambientit, përfshirë edhe brigjet e detit…                                                                               

-për kanabizimin e vendit dhe për pastrimin e miliardave nga trafiku i drograve…                                                 

– për mungesën e një linje normale hekurudhore krahinore e jo më mbarë vendore!                                                                                                                              

Përbën arsye për shqetësim mbarë vendor edhe fakti se gjatë 12 viteve të Rama- qeverisjes apo Rama- paqeverisjes, nga Shqipëria kanë ikur çdo vit si emigrantë në vende të Perëndimit, rreth 45- 75 mijë  banorë të moshave nga 18- 35 vjeç…, duke u zëvendësuar me afrikanë, aziatikë, latino- amerikanë…!? Këtë kryeministri dhe tellallet e tij politikë dhe mediatikë e reklamojnë si sukses!? 

Sipas të dhënave të OECD-së, publikuar në mes qershor 2025, Shqipëria renditet e fundit në rajon në shumicën e treguesve kryesorë “…Të ardhurat e qytetarëve shqiptarë janë vetëm 37% e mesatares së Bashkimit Europian, ndërsa prodhimi i brendshëm bruto për frymë nuk kalon 20% të vendeve të BE-së… Pavarësisht propagandës për investime të larta, Shqipëria mbetet e fundit në rajon për sa i përket standardeve infrastrukturore…”

Në raportin e Eurostat, publikuar në fillim të vitit 2026, Shqipëria renditet e fundit edhe në rajon. Të dhënat janë analizuar në bazë të përllogaritjes së të ardhurave totale të një familjeje, taksave dhe zbritjeve të tjera që janë në dispozicion për shpenzimet, pjesëtuar me numrin e anëtarëve të familjes. Për më tepër e më keq, edhe pse Shqipëria është vendi më i varfër në Europë, paradoksalisht në tregjet  e saj, shumica e artikujve ushqimorë, të higjienës, kozmetikës, farmaceutikës, elektronikës, veshmbathjeve…, tregtohen me çmimet më të larta?”, ka theksuar ai. 

Në fund, Mustafa ndalet edhe te editoriali i përbashkët i publikuar më 28 shkurt 2026 në Frankfurter Allgemeine Zeitung nga presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuqiç, dhe kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, ku propozohet një qasje e re për përshpejtimin e integrimit në BE, përfshirë hyrjen graduale në tregun e brendshëm dhe hapësirën Shengen, por pa të drejta të plota vendimmarrëse.

 Ai sugjeron se një integrim me të drejta të plota do të sillte kontroll më të fortë institucional mbi qeverisjen, gjë që – sipas tij – nuk u leverdis liderëve aktualë.

“Më shumë për të dëshmuar qenien e tyre në unison apo një mendjeje për shumëçka lidhur me zhvillimet dhe të ardhmen e Ballkanit si dhe për anëtarësimin e plotë në BE të Serbisë dhe Shqipërisë, Presidenti i Serbisë Aleksandar Vuçiç dhe kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, publikuan më 28 shkurt 2026 një editorial të përbashkët në Frankfurter Allgemeine Zeitung (FAZ), në të cilin propozojnë një qasje të re strategjike për avancimin e procesit të zgjerimit të Bashkimit Europian. Në thelb të propozimit të tyre qëndron ideja e një integrimi të përshpejtuar të vendeve kandidate të përgatitura në tregun e brendshëm të BE-së dhe në hapësirën Shengen, pa cenuar balancën ekzistuese institucionale të Unionit. Pra, pa të drejta vetoje, pa komisionerë shtesë dhe pa prekur strukturat vendimmarrëse… Nëse lexohet me vëmendje të shtuar, nuk është e vështirë për të kuptuar se më shumë se sa keqardhjen për shqetësimet që do tu shkaktohen liderëve të vendeve anëtare të BE-së nga vonesa dhe cilësia jo e duhur e arritjes së standardeve nga vendet kandidate, Serbia dhe Shqipëria, ata fshehin paaftësinë e tyre individuale dhe ekipore si dhe mungesën e dëshirës për të përmbushur kërkesat dhe arritur standardet në nivelet e duhura. Me sa nënkuptohet, ata nuk e duan fare apo shpejt anëtarësimin e plotë dhe me të drejta të plota në BE, sepse kjo do të nënkuptonte kontroll të fortë e rigoroz mbi ata dhe ekipet e tyre qeveritare dhe humbjen e lirisë së deri sotme për të qeverisur si mbretër”, ka përfunduar Mustafa.

Të Ngjashme