Çështja gjyqësore kundër ish-eprorëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës në Dhomat e Specializuara të Kosovës në qytetin holandez, Hagë, ka përfunduar më 18 shkurt, pas gati tri vjetëve.
Të mërkurën e 18 shkurtit, mbrojtjet e ish-presidentit të Kosovës Hashim Thaçi, ish-kryeparlamentarëve Kadri Veseli e Jakup Krasniqi, si dhe ish-deputetit Rexhep Selimi, dhanë argumentet e tyre të fundit mbrojtëse.
Ato përsëritën argumentet e tyre se Prokuroria nuk ka dëshmi për akuzat e ngritura, nuk ka arritur ta provojë fajësinë e tyre, prandaj kërkuan aktgjykim shfajësues.
Më pas, mbrojtja e viktimave tha para trupit gjykues se ajo nuk e ka obligim t’i vërtetojë akuzat ndaj të akuzuarve.
Krahas kësaj, theksojmë se, Zyra e Prokurorit të Specializuar ka kërkuar 45 vjet burgim për secalin prej të akuzuarve. Derisa, gjykatësit kanë tre muaj kohë që të marrin një vendim për çështjen, ose të kërkojnë zgjatjen e afatit për marrjen e vendimit.
Të gjendur përballë kësaj situate së fundmi kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, publikoi disa pamje nga mbledhja e parë e Bordit të Paqes në Uashingtonn DC.
Në video përfshihet edhe fjalimi i tij, ku i kërkoi presidentit amerikan, Donald Trump, të ndërmarrë veprime lidhur me procesin gjyqësor të ish-krerëve të UÇK-së në Hagë.
A mund të interpretohet kërkesa e Edi Rama ndaj Donald Trump si përpjekje për të ndikuar në vendimin përfundimtar, në këtë fazë kur pritet vetëm aktgjykimi?
Bajraktari: Rama po kërkon drejtësi për Thaçin, Selimin, Krasniqin dhe Veselin
Avokati Ardian Bajraktari në një prononcim për “Bota sot”, ka thënë që Rama po kërkon drejtësi dhe sipas tij procesi ndaj ish-drejtuesve të Ushtria Çlirimtare e Kosovës ka jo vetëm aspekt ligjor, por edhe domethënie historike e shtetformuese për Kosovën.

Ardian Bajraktari
“Qëndrimi i Kryeministrit Rama nuk është sulm ndaj drejtësisë, por kërkesë për drejtësi.
Procesi ndaj katërshes së UÇK-së nuk është thjesht një çështje juridike, por shumë më shumë, ai prek kujtesën historike, sakrificën e një populli dhe narrativën mbi të cilën është ndërtuar shtetësia e Kosovës.
Prandaj, qëndrimin e z. Rama duhet parë në këtë prizëm”, u shpreh Bajraktari për “Bota sot”.
Mehmeti: Nëse besojmë te pafajësia, duhet të besojmë edhe te forca e argumentit juridik.
Kurse, për këtë temë për “Bota sot” foli edhe analisti politik, Faton Mehmeti.

Faton Mehmeti
Ai thotë se kërkesa ndaj një presidenti të huaj, si ai i Shtetet e Bashkuara te Amerikes, për të vepruar në një proces gjyqësor në përfundim mund të shihet si ndërhyrje politike në drejtësi.
“Kur një kryeministër i kërkon një presidenti të huaj të “ndërmarrë veprime” për një proces gjyqësor që ndodhet në fazën finale, pyetja nuk është më thjesht diplomatike është thellësisht politike dhe juridike.
Nëse procesi ndaj ish-krerëve të UÇK-së është në pritje të aktgjykimit, çdo apel publik drejtuar një fuqie të madhe si SHBA-ja mund të interpretohet si përpjekje për ndikim”, u shpreh ai.
Ndër të tjera ai shton se drejtësia ndërkombëtare duhet të jetë e pavarur nga politika dhe se kërkimi i mbështetjes politike për një proces gjyqësor e dëmton besimin te drejtësia, duke e kthyer atë në çështje pazari diplomatik në vend të bazuar në prova.
“Drejtësia ndërkombëtare, sado e debatueshme, mbështetet mbi një parim themelor pavarësinë nga presioni politik. Në momentin kur liderët fillojnë t’i drejtohen njëri-tjetrit për procese gjyqësore konkrete, krijohet perceptimi se vendimet mund të varen nga pesha e politikës, jo vetëm nga provat.
Nëse besojmë te pafajësia, duhet të besojmë edhe te forca e argumentit juridik. Sepse në momentin që drejtësia fillon të kërkojë sponsorë politikë, ajo pushon së qeni drejtësi dhe kthehet në çështje pazari diplomatik”, foli analisti Mehmeti për “Bota sot”.
