Gjatë vizitës së tij në Durrës, kryeministri Edi Rama, u prit me thirrjet “Rama ik”, nga disa qytetarë të prekur nga përmbytjet në këtë qark.
Në momentin që Rama ka dalë nga bashkia, pas takimit me banorët të cilëve u rrezikohen shtëpitë nga projekti TID, disa qytetarë e kanë pritur në sheshin para bashkisë, duke tentuar t’i afrohen automjetit të tij dhe të kërkojnë të flasin për shqetësimet e tyre.
Por janë ndaluar nga policia, ku 5 prej tyre janë shoqëruar në komisariat.
Bashkë me qytetarët që kanë protestuar, ishte dhe deputeti demokrat i Durrësit, Igli Cara, i cili tentoi t’u heqë banorët nga duart efektivëve.
Banorët kërkojnë që të përshpejtohen procedurat për kompensimin e dëmeve dhe paralajmërojnë se protestat do të vazhdojnë nëse nuk ka veprime konkrete nga qeveria
