Kryetari i Prishtinës, Përparim Rama, zhvilloi një takim në Uashington, në Zyrën për Çështjet e Evropës Jugore dhe Qendrore të Departamentit të Shtetit të SHBA-së. Ai u prit nga Lyn Debevoise, Zëvendësdrejtor për Çështjet e Evropës Perëndimore dhe Qendrore, si dhe nga përfaqësues të zyrës për politika ndërkombëtare.
Përmes një postimi në Facebook, Rama bëri të ditur se gjatë takimit u rikonfirmuan marrëdhëniet e fuqishme ndërmjet Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe Republikës së Kosovës, me theks të veçantë në Prishtinë.
“Rikonfirmuam qëndrimet tona të përbashkëta dhe marrëdhëniet jashtëzakonisht të fuqishme ndërmjet SHBA-së dhe Republikës së Kosovës, veçanërisht me Prishtinën”, shkroi Rama.
Diskutimet përfshinë çështje të rëndësishme politike dhe institucionale, përfshirë stabilitetin politik, rolin e parlamentit dhe qeverisë, procesin e zgjedhjes së Presidentit, si dhe sfidat aktuale me të cilat përballet vendi.
Rama gjithashtu theksoi rëndësinë e bashkëpunimit ekonomik dhe përgatitjet për “Konferencën për Investime Amerikane”, e cila pritet të mbahet në Prishtinë në muajin mars.
Nga ana e tij, Lyn Debevoise rikonfirmoi përkushtimin e SHBA-së për të mbështetur rritjen ekonomike të Kosovës, duke garantuar mbrojtjen e investimeve amerikane dhe avancimin e progresit ekonomik afatshkurtër dhe objektivave afatgjata rajonale për të ardhmen e vendit.