Ads: Merr BB VIP Falas me Premium 12 Mujore

Lajme

Rama njofton ardhjen e Qatar Airways në Shqipëri gjatë vizitës në Doha

Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, po qëndron për një vizitë zyrtare në Doha, Katar, ku u takua me Kryeministrin dhe Ministrin e Punëve të Jashtme, Sheikh Mohammad bin Abdulrahman bin Jassim Al Thani.

Rama njoftoi për vizitën në profilin e tij zyrtar në Facebook, ku ndau edhe pamje nga takimi. Gjatë postimit, ai bëri të ditur edhe një projekt të ri në fushën e aviacionit:

“Doha, Katar – Me Drejtorin e Përgjithshëm të Qatar Airways, Ing. Badr Mohammed Al-Meer, diskutova mbi hyrjen e kësaj kompanie prestigjioze në Shqipëri, dhe inshallah së shpejti do të kemi fluturime të Qatar Airways drejt Tiranës.”

Kryeministri shtoi se takimi u përqendrua në thellimin e bashkëpunimit ndërmjet dy vendeve dhe zhvillimin e projekteve të rëndësishme.

Mësohet se gjatë vizitës në Doha, Rama është shoqëruar edhe nga Ministri i Financave, Petrit Malaj, dhe Ministri i Shtetit për Pushtetin Vendor, Ervin Demo.