Sekretari Organizativ i Lëvizjes Vetëvendosje, Alim Rama, ka theksuar se Lista Serbe, si një parti politike e lidhur me aktet terroriste, si sulmi në Banjskë, nuk duhet të lejohet të marrë pjesë në zgjedhje.
“Pjesëmarrja e saj në akte terroriste dhe të dhunshme kërcënon drejtpërdrejt demokracinë, sundimin e ligjit dhe sigurinë kombëtare”, ka theksuar Rama.
Ai ka thënë se lejimi i kësaj partie për të marrë pjesë në zgjedhje do të legjitimonte terrorin si mjet politik, do të dobësonte besimin e publikut te institucionet demokratike dhe do të kompromentonte integritetin e procesit zgjedhor në Kosovë.
“Sjellje të tilla nuk mund të tolerohen në një vend të përkushtuar ndaj normave demokratike dhe sigurisë së qytetarëve të tij, parime të cilave Kosova ju përmbahet me vendosmëri” ka thënë Rama.
Ai gjithashtu ka theksuar se serbët e Kosovës vazhdojnë të përballen me presion dhe kërcënime nga Beogradi përmes Listës Serbe, duke u ndikuar në të drejtat e tyre demokratike dhe krijuar një ambient frike dhe pasigurie.
“E gjithë kjo në vazhdimësi kufizon rëndë të drejtat e tyre themelore demokratike, përfshirë lirinë e shprehjes dhe përfaqësimin politik, duke krijuar për shumë vite një ambient frike dhe pasigurie. Këto kufizime janë shumë larg standardeve ndërkombëtare demokratike, një shqetësim i ngritur jo vetëm nga Vetëvendosje, por edhe i potencuar në shumë raste nga partnerët ndërkombëtarë”, ka shkruar Alim Rama.
Rama ka potencuar se qëndrimi kundër certifikimit të Listës Serbe nuk është kundër serbëve të Kosovës, por kundër akteve terroriste dhe presionit të padrejtë që ata përjetojnë nga kjo parti.
“Kjo votë është qëndrim kundër akteve terroriste që godasin shtetësinë e Kosovës si dhe kundër një klime të frikës dhe presionit të padrejtë që shumë serbë të Kosovës e përjetojnë nga Lista Serbe,” ka theksuar sekretari organizativ i Vetëvendosjes.

