Qeveria po hedh në diskutim një model të ri për pensionet, i cili synon të shtojë të ardhurat në pleqëri përmes një skeme kursimi të mbështetur nga shteti. Kryeministri Edi Rama ka shpjeguar se ideja bazohet në një fond shtesë, ku qytetarët mund të kontribuojnë vullnetarisht çdo muaj, ndërsa për çdo kontribut të tyre do të ketë një shtesë nga shteti ose punëdhënësi.
Në thelb, kjo është një formë e zgjeruar e shtyllës së tretë të pensioneve, por me një ndryshim të rëndësishëm nga modeli klasik. Në variantin që po propozohet, kursimi individual nuk mbetet vetëm përgjegjësi e qytetarit. Nëse një person vendos të kursejë një shumë të caktuar çdo muaj, ajo shumë do të dyfishohet përmes kontributit shtesë. Për shembull, nëse një qytetar vendos të kursejë 10 euro, shteti ose punëdhënësi do të shtojë edhe 10 euro të tjera, duke e rritur menjëherë fondin personal.
Skema në fjalë është propozuar vazhdimisht nga kompanitë e sigurimeve si një ndër format për të rritur mbështetjen ndaj moshave të treta.
Ky mekanizëm synon të krijojë një rezervë që ndërtohet gradualisht me kalimin e viteve dhe që më pas i shtohet pensionit bazë që përfitohet nga sigurimet shoqërore. Ndryshe nga skema aktuale, ku pensioni varet kryesisht nga kontributet e detyrueshme dhe buxheti i shtetit, ky model kërkon një rol aktiv nga vetë qytetarët për të kursyer për të ardhmen.
Në fakt, modele të ngjashme ekzistojnë prej vitesh në vende të ndryshme. Në Mbretërinë e Bashkuar, punonjësit kontribuojnë nga paga dhe punëdhënësit janë të detyruar të shtojnë një pjesë të kontributit. Në Gjermani, shteti jep bonuse direkte për qytetarët që kursejnë në skema pensioni, ndërsa në Shtetet e Bashkuara është e zakonshme që kompanitë të barazojnë kontributin e punonjësit deri në një kufi të caktuar.
Megjithatë, sfida kryesore nuk është koncepti, por zbatimi. Një nga pikëpyetjet më të mëdha lidhet me financimin.
Nëse shteti do të shtojë një shumë për çdo kontribut, kjo kërkon burime të qëndrueshme nga buxheti. Po ashtu, mbetet e paqartë nëse ky kontribut do të jetë i plotë, si në shembujt e dhënë, apo do të ketë kufizime.
Një tjetër element kyç është pjesëmarrja. Skema është vullnetare dhe suksesi i saj varet nga gatishmëria e qytetarëve për të kursyer çdo muaj. Në një realitet ku të ardhurat shpesh janë të kufizuara, mbetet për t’u parë sa njerëz do të jenë në gjendje të përfshihen.
Po aq e rëndësishme është edhe mënyra se si do të menaxhohen fondet. Besimi i qytetarëve do të varet nga transparenca dhe siguria e investimeve, si dhe nga garancitë që do të ofrohen për kthimin e këtyre kursimeve në përfitime reale.
Në këtë fazë, skema mbetet një ide në zhvillim. Ajo përfaqëson një përpjekje për të shtuar një shtresë të re sigurie mbi sistemin aktual të pensioneve, por efektiviteti i saj do të varet nga detajet konkrete që do të përcaktohen në vijim dhe nga mënyra se si do të zbatohet në praktikë. /skyweb.al
