Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama është takuar të hënën me kryeministrin izraelit, Benjamin Netanyahu në Izrael.
Takimi u zhvillua në kuadër të një vizite zyrtare ku Rama po qëndron atje me rastin e Konferencës Ndërkombëtare për luftën kundër Antisemitizmit që do të mbahet më 27 janar.
Pas bisedimeve dypalëshe, Rama dhe Netanyahu do të kryesojnë edhe një takim mes delegacioneve përkatëse, ndërsa në përfundim është parashikuar një deklaratë e përbashkët për shtyp.
Kryeministri Rama ndodhet në Izrael i shoqëruar nga delegacioni shqiptar dhe bashkëshortja e tij, Linda Rama.
Gjatë ditës së sotme, Kryeministri shqiptar do të pritet gjithashtu me ceremoni shtetërore në Knesset, Parlamentin e Izraelit, ku do të nderohet sipas protokollit zyrtar, përfshirë rojet e nderit, himnet kombëtare dhe homazhe në monumentin e ushtarëve të rënë dhe viktimave të terrorit.
Rama pritet gjithashtu t’i drejtohet Parlamentit izraelit në një fjalim të posaçëm.
Vizita e Ramës në Izrael do të vijojë më 27 janar me pjesëmarrjen e tij në Konferencën Ndërkombëtare për Luftën kundër Antisemitizmit, ku ai do të mbajë një fjalë në prani të Presidentit të Izraelit, Isaac Herzog.
