“Më habit qëndrimi i Francës,” – është fjalia e Luigj Gurakuqit te filmi Nëntori i Dytë derisa lexon shtypin ndërkombëtar përkrah Ismail Qemalit gjatë udhëtimit për në Vlorë ku do të ngrisnin flamurin. Kjo fjali duket se ka lënë fërkemin e saj në mendjen e analistit, Sadri Ramabaja, që ka habitur së fundi me qëndrimin për Francën.
Ramabaja ka shkruar në portalin e tij në një artikull në të cilin pretendon se ka zbuluar “prapaskenat” e diplomacisë frënge.
Beteja Francë-Amerikë për Trepçën
Veriu i Kosovës ka qenë pikë neuralgjike për interesat gjeopolitike të shumë aktorëve gjatë historisë politike moderne, përfshirë SHBA-të dhe Francën.
Sipas tij, beteja mes ShBA-ve dhe Francës bëhej për “1) siguri dhe stabilitet rajonal; 2) burimet natyrore si Trepça, 3) Ujmani e Maja e Pançiqit dhe rivaliteti mes të dyjave”.
“Prapaskenat e diplomacisë frënge ndërlidhen si gjithmonë me betejën për Trepçën, por jo më pak edhe për Ujmanin dhe Majën e Pançiqit.[6]” – shkruan z. Ramabaja në shkrimin e tij të gjatë.
Sipas tij, qëllimi i angazhimit të Francës në dialog është që të imponohet një zgjidhje ku ndahet Trepça dhe sigurohet trashëgimia e aksioneve që kanë ndërmarrjet frënge “edhe nga koha e Millosheviqit”.
Natyrisht, për një pretendim të tillë, Ramabaja nuk ka ofruar ndonjë argument apo lëre më provë.
Për këtë arsye sipas tij, veprimet e Kurtit në veri janë më domethënëse.
“Prandaj, shtrirja e sovranitetit të Republikës në veri dhe ngritja e flamurit në Zveçan, për interesat jetike të Kosovës dhe të Kombit, merr përmasat reale që ka.” – thotë ai.
Ai e përmendi edhe UÇK-së, më saktë drejtorisë politike të saj (UÇK-së) që kishte bashkëpunuar me Francën që nga “Malet e Berishës”.
“Tashmë është sekret publik fakti se pranë Shtabit të Përgjithshëm të UÇK-së në malet e Berishës, kur intelegjencia amerikane po kërkonin të atashoheshin pranë tij, kishte kohë që atë e kishte futur nën kontroll intelegjencia ushtarake frënge [Drejtoria e Inteligjencës Ushtarake – DRM). Pasojat tashmë janë të njohura. Ky fakt do t’i jap përparësi këtij shërbimi të jetë përcaktues për ndarjen e Mitrovicës dhe promovimin e zonës gri në veri të Republikës.” – shprehet ai.
Sipas tij, ky bashkëpunim mes Kosovës dhe ushtrisë së Francës vazhdoi edhe pas luftës.
Pra, çështja nuk është te zyret e ndërtesave komunale siç po na thotë Albin Kurti. Çështja – sipas Ramabasë – është konkretisht te Trepça, Maja e Pançiqit dhe Ujmani.
Lexo shkrimin e plotë duke klikuar KËTU.