Veprimtari shqiptaro-amerikan Ramazan Bekteshi ka reaguar ndaj Kuvendit të fundit të LDK-së, duke e cilësuar atë si një fitore taktike për Lumir Abdixhikun, por humbje të rëndë strategjike për partinë.
Ai kritikon mungesën e kundërkandidatëve, qëndrimin e Hykmete Bajramit dhe largimin në heshtje të Avdullah Hotit, duke theksuar se këto veprime po e dëmtojnë rëndë imazhin dhe trashëgiminë e LDK-së.
Shkrimi i Bekteshit:
Kuvendi i LDK-së pa kundërkandidat i sikletshëm (*28) Fitore afatshkurtër, humbje afatgjatë!
Kuvendi i Lumirit ishte një arritje taktike për vetveten, një fitore me një çmim shumë të lartë, por, njëkohësisht është një humbje e keqe strategjike për LDK-në. Pavarësisht kësaj, ai e quajti kuvendin “Demokraci maksimale”. Sot, “shqiponja” Hykmete Bajrami u shndërrua në “thëllëzë” duke thënë: “E respektoj vendimin e kuvendit, LDK është më e madhe se secili prej nesh”, jo Hykë, sot Lumiri ishte “mbreti”, dhe ti në mënyrë të turpshme u pajtove me një realitet të mbrapshtë. Derisa, kandidati për kryetar, Hoti, iku me bishtin nën shalë, duke e mbyllur gojën e duke i injoruar mediat. Ja pra, kështu veprojnë politikanët e LDK-së që duan ta sundojnë partinë shtetëformuese, që tani më e kanë nxirë keq akronimin e artë të LDK-së!
