
Duke folur për një takim me anëtarët e UÇK-së në qershor të 1999-ës, dëshmitari John Duncan deklaroi se i kujtohet se vinte era luftë, barut e tym, gjë e cila i kishte lënë mbresa.
“Më kujtohet era. Vinte era luftë. Më ka bërë shumë përshtypje era barut. Era barut e era tym është njëra ndër gjërat që më ka lënë mbresa. Moment shumë mbresëlënës për mua”, tha dëshmitari, raporton “Betimi për Drejtësi“.
Dëshmitari tha se në këtë takim ishte gjenerali Agim Çeku, John Reef, komandantët e zonave si Ramush Haradinaj dhe Rrustem Mustafa, e të tjerë.
Ai tha se nuk e di se si kishin ardhur komandantët e zonave aty. Tha së u bënë shumë pyetje dhe ranë dakord në pika të përgjithshme.
Dëshmitari Duncan u shpreh se nga pikëpamja ushtarake ishte takim frytdhënës. Ndërsa, sipas tij, krahu politik kërkonte formulime që do të njihej Qeveria e Përkohshme e Kosovës.
“Nga pikëpamja ushtarake ka qenë shumë frytdhënës si takim. Krahu politik më duket se është zoti Haliti atje ose ndonjëri nga të pandehurit këtu mbase, ishin shumë të vështirë. Kërkonin formulime që të bënin të qartë që të njihej Qeveria e Përkohshme. U përpoqëm që të mos e pranonim këtë. Takimi pati një sukses të pjesshëm. Tekst mbeti pak a shumë siç e kisha hartuar unë. Kështu që, i shtuam disa hollësi. Takimi ishte frytdhënës. Ata hezitonin shumë, ata thonin se ne e kemi fituar luftën dhe nëse çarmatosemi ta bëjmë me nderë- nëse çarmatosemi ta bëjmë siç duhet. Kishte një ndjenjë të fortë prej tyre. Ata e konsideronin veten si luftëtarë të suksesshëm dhe donin ta mbronin veten përpara syve të popullit të tyre”, tha dëshmitari.
Për Ramush Haradinajn, Duncan tha se është karakter i veçantë, duke e krahasuar me filmat e Rambos.
“Është karakter i veçantë. Është si në filmat e Rambos. E kishte një emblemë në krah. Të binte në sy si personazh. Fliste goxha shpesh”, tha ai.
Ndërsa, për komandantët e UÇK-së, dëshmitari tha se iu përforcua ajo që i kishte thënë Agim Çeku, se ata ishin aktorët kryesorë dhe duhej të përfshiheshin në negociata.