Lajme

Raportimi për një takim të ri në Bruksel: Kurti me epërsi të qartë ndaj Vuçiqit – pritet përballje vendimtare!

Pas një periudhe të gjatë stagnimi në dialogun ndërmjet Kosova dhe Serbia, zhvillimet e fundit politike dhe diplomatike nga Brukseli kanë ringjallur shpresat për një rifillim të procesit të negociatave.

Burime të ndryshme diplomatike sugjerojnë se një takim i ri mes kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti, dhe presidentit të Serbisë, Aleksandar Vuçiq, mund të jetë i afërt, duke sinjalizuar një përpjekje të re për të tejkaluar bllokadat e deritanishme.

Dialogu Kosovë–Serbi, i ndërmjetësuar nga Bashkimi Evropian, ka kaluar nëpër faza të ndryshme, shpesh të shoqëruara me tensione politike dhe mungesë besimi reciprok. Megjithatë, konteksti aktual ndërkombëtar dhe presioni në rritje nga partnerët perëndimorë duket se po krijojnë një momentum të ri për angazhim më konstruktiv nga të dyja palët. Kjo përfshin jo vetëm kërkesën për stabilitet në rajon, por edhe përparimin drejt integrimit evropian, që mbetet një objektiv strategjik si për Kosovën, ashtu edhe për Serbinë.

Takimi i mundshëm Kurti–Vuçiq pritet të trajtojë çështje kyçe që kanë mbetur të pazgjidhura, përfshirë zbatimin e marrëveshjeve të mëparshme, normalizimin e marrëdhënieve dhe krijimin e një kornize të qëndrueshme për bashkëpunim të ardhshëm.

Në këtë kontekst, roli i Brukselit mbetet vendimtar. Përmes ndërmjetësimit aktiv dhe ofrimit të stimujve politikë dhe ekonomikë, Bashkimi Evropian synon të rikthejë dialogun në binarë produktivë dhe të shmangë përshkallëzimin e tensioneve.

Mehmeti: Jam skeptik se mund të ndodhë ky takim

Image
Faton Mehmeti

E për këtë temë, për “Bota sot” foli analisti politik, Faton Mehmeti, i cili potencoi se dyshon se mund të ndodhë ndonjë takim i tillë, por edhe nëse ndodh nuk pret ndonjë ndryshim.

“Edhe mund të ndodhë një takim mes Kurtit dhe Vuçiqit por nuk pres diçka të re në këtë drejtim. Për më tepër jam skeptik se mund të ndodhë ky takim, gjithësesi edhe nëse ndodhë nuk do të prodhojë asgjë, përveç se të dy palët do të mbrojnë qëndrimet e tyre”.

Krahas kësaj, analisti potencon se, pa përfshirjen e SHBA nuk do ketë zhvillime dhe lëvizje të reja në dialogun Kosovë-Serbi.

“Pa ndërhyrjen serioze të SHBA në këtë proces, respektivisht të presidentit Trump nuk do të ketë arritje të marrëveshjes përfundimtare mes Kosovës dhe Serbisë. BE ka dështuar për pesëmbëdhjet vjet në ndërmjetësim pa arritjen e një marrëveshje përfundimtare”, përfundoi Faton Mehmeti për “Bota sot”.

Zogaj: Kosovës i duhen vendime të mëdha dhe të guximshme

Image
Skënder Zogaj

Ndërsa, publicisti Skënder Zogaj tha se në kuadër të dialogut, pala që nuk respekton vendimet duhet të ndëshkohet me pasoja.

Ai në bashkëbisedimin e tij me “Bota sot”, tha se raportimet për një takim Kurti-Vuçiq, janë sinjal që ndërkombëtarët kanë kthyer fokusin dhe janë të interesuar për të shkuar përpara në këtë çështje.

“Iniciativat ndërkombëtare, siç është dialogu Kosovë–Serbi, të cilat janë pranuar nga të dyja palët, nuk janë çështje të parëndësishme, por vendime që duhet patjetër të realizohen. Pala që nuk i përfill angazhimet e ndërmjetësimit ndërkombëtar, domosdoshmërisht është fajtore dhe bart pasojat. Kjo pritet të ndodhë edhe me dialogun Kosovë–Serbi, nëse ndonjëra nga palët nuk i përfill sugjerimet e Brukselit.

Siç dihet, për shkak të disa zhvillimeve të brendshme në Kosovë dhe në Serbi, bisedimet kanë kohë që janë ndërprerë. Megjithatë, qëndrimi ndërkombëtar nuk ka ndryshuar; përkundrazi, partnerët ndërkombëtarë vazhdimin e dialogut e shohin si kusht për zgjidhjen e problemeve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë. Sinjalet e reja nga Brukseli për një takim ndërmjet Kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti, dhe Presidentit të Serbisë, Aleksandar Vuçiq, janë dëshmi se dialogu është ende në fuqi dhe nuk mund të anashkalohet. Pra, takimi pritet të ndodhë dhe vazhdimi i dialogut do të jetë më intensiv, pasi koha për zvarritje ka përfunduar dhe çështjet kërkojnë përmbyllje”.

Përveç kësaj, publicisti vlerësoi s primtshmërit për këtë janë të qarta.

Madje, vlerëson se, Kurti është në pozitë më të favorshme krahasuar me Vuçiqin, për disa arsye, të cilat i përmendi më poshtë.

“Pritjet janë të qarta: të dyja palët duhet t’i përmbushin marrëveshjet e arritura më herët, të cilat i kanë miratuar, por ende nuk i kanë zbatuar. Mund të jem i gabuar, por mendoj se nuk ka më hapësirë për shmangie nga asnjëra palë, pasi dialogu ka hyrë në një fazë vendimtare dhe priten veprime konkrete. Albin Kurti, përballë Aleksandar Vuçiqit, është në një pozitë më të favorshme dialoguese, pasi nga ana e bashkësisë ndërkombëtare gëzon mbështetje për integritetin territorial të Kosovës. Për rrjedhojë, të gjitha kalkulimet e tjera mbeten pa peshë reale.

Kosovës i duhen vendime të mëdha dhe të guximshme”, përmbylli Zogaj për “Bota sot”.

Të Ngjashme