Lajme

Rashiq shigjeton Listën Serbe: Problemet e serbëve, pasojë e përfaqësimit të papërshtatshëm politik

Problemet me të cilat përballen pjesëtarët e komunitetit serb në Kosovë janë kryesisht pasojë e përfaqësimit të papërshtatshëm politik, vlerësoi ministri për Komunitete dhe Kthim, Nenad Rashiq, duke iu referuar Listës Serbe.

“Kemi njerëz që kanë pasur punësim të përhershëm dhe të ardhura të mira, e ata të parët vendosën tabelën me mbishkrimin ‘Shtëpia në shitje’. Kjo, për fat të keq, është pjesë e një koncepti të përgjithshëm të rrënimit të brendshëm të popullit serb, para së gjithash për shkak të përfaqësimit të papërshtatshëm politik, dhe kjo na mundon vazhdimisht”, vlerësoi Rashiq.

Duke komentuar çështjen aktuale të integrimit të arsimit dhe shëndetësisë në sistemin kosovar, Rashiq në Programin e Mëngjesit të RTK2 theksoi se për këtë po diskutohet në kuadër të dialogut në Bruksel, transmeton KosovaPress.

“Kur ato marrëveshje vetëm nënshkruhen, siç ka ndodhur deri më tani, atje i urojnë njëri-tjetrit dhe thonë: ‘Fituam 50:0, gëzohuni, vëllezër serbë në Kosovë’, duke përdorur një terminologji të tillë. Duhet të them se kjo është madje një mënyrë cinike e keqpërdorimit dhe manipulimit të qytetarëve. E kur ta vendosin dokumentin në tavolinë dhe të thonë se pason zbatimi, atëherë e shihni se në atë që ofrohet ka shumë gjëra të këqija që do të reflektohen negativisht te serbët, dhe pastaj ne merremi me pasojat”, tha Rashiq.

Rashiq konsideron se shumica e pjesëtarëve të komunitetit serb në Kosovë kanë humbur shpresën se gjërat mund të ndryshojnë në mënyrë thelbësore për mirë dhe porosit se do të përpiqet t’i ndryshojë këto qëndrime.

“Kjo agoni e jona fillon në vitin 2013 me Marrëveshjen e parë të Brukselit dhe, sado që tingëllon, madje edhe tragjikomike, që nga ai moment serbët humbin çdo ndjenjë të vendimmarrjes brenda atij procesi”, deklaroi Rashiq.

Duke folur për kthimin e serbëve, Rashiq theksoi se ka të interesuar, por se ata janë kryesisht persona të moshuar. Ai porositi se ministria që drejton do të përpiqet në periudhën e ardhshme të avancojë programet e dedikuara për të kthyerit.

Të Ngjashme