
Eksperti i sigurisë, Drizan Shala, ka thënë se artikulli i publikuar më 23 maj nga “Kosovo Online”, që pretendon për “sulm fizik” ndaj një maturanti serb nga Policia e Kosovës në Mitrovicën e Veriut, përbën një shembull të qartë të propagandës hibride serbe.
Sipas tij, pa asnjë provë vizuale apo burim zyrtar, artikulli përdor gjuhë emocionale dhe organizata civile të lidhura me rrjete dezinformimi për të kriminalizuar institucionet e sigurisë së Kosovës dhe për të ngritur tensione ndëretnike.
Tutje, thotë se ky është një veprim i qëllimshëm për destabilizim dhe justifikim të ndërhyrjes politike apo të dhunshme në rajon. Institucionet e Kosovës duhet të përgjigjen me komunikim strategjik dhe veprim të koordinuar kundër operacioneve hibride.
Shkrimi i plotë i Shalës:
Kundërshtimi dhe dekonspirimi i artikullit propagandistik të “Kosovo Online” mbi incidentin me maturantin serb në Mitrovicën e Veriut me daten 23 maj 2025 !
❗️ VLERËSIMI I INCIDENTIT
Më 23 maj 2025, portali “Kosovo Online” publikoi një artikull me titullin: “Organizatat e shoqërisë civile shprehin shqetësim për sulmin ndaj maturantit serb në Mitrovicën e Veriut”. Artikulli pretendon se një polic i Policisë së Kosovës ka ushtruar forcë fizike ndaj një nxënësi serb gjatë festimeve të mbarimit të vitit shkollor.
Ky artikull përbën një rast të qartë të operacionit hibrid informativ të Serbisë, me qëllim destabilizimi të perceptuar dhe kriminalizim të institucioneve të rendit në Kosovë dhe e strukturuar për të:
1. Krijuar narrativë të viktimizimit të serbëve në Kosovë,
2. Kriminalizuar institucionet e sigurisë së Kosovës,
3. Ngritur tension artificial në zonat e ndjeshme etnike, dhe
4. Diskredituar funksionimin e rendit dhe ligjit dhe autoritetin kushtetues të Republikës së Kosovës.
❗️ ELEMENTET E PROPAGANDËS HIBRIDE SERBE NË ARTIKULL
1. Gjuha emocionale dhe dramatizuese:
🚩 Termat si “kapje për qafe”, “sulm fizik”, dhe “tronditje psikologjike” nuk mbështeten në asnjë provë vizuale apo deklaratë zyrtare. Kjo është teknikë standarde e dezinformimit për të aktivizuar reagim emocional në opinionin serb dhe në qendrat diplomatike.
2. Përdorimi i organizatave civile si mbulesë informative:
🚩 Organizatat e cituara janë të lidhura me rrjete të mëparshme të operacioneve hibride në Mitrovicë të Veriut dhe Leposaviq, të cilat veprojnë si instrumente të “soft power” të BIA-s.
3. Mungesë totale e balancës dhe burimeve institucionale:
🚩 Nuk përfshihet asnjë deklaratë nga Policia e Kosovës apo nga mbikëqyrësit e pavarur të ngjarjes. Ky selektim i burimeve është karakteristikë e propagandës hibride.
4. Qëllimi final: Kriminalizimi i shtetit të Kosovës dhe justifikim për tensione të reja:
🚩 Artikulli tenton të paraqesë Policinë e Kosovës si represive ndaj serbëve, duke ndërthurur në mënyrë nënvëdijshme terminologji të dhunës strukturore. Kjo formë dezinformimi shërbën si paraprijëse e nxitjes së incidenteve të dhunshme apo “protestave spontane”.
❗️KONTEKSTI HIBRID – PSE KY ARTIKULL ËSHTË I RREZIKSHËM :
Ky postim është jo vetëm manipulativ, por pjesë e një fushate të gjerë të destabilizimit informativ të Kosovës, që përfshin:
✅️ Skenarë të orkestruar të tensioneve për të legjitimuar ndërhyrjen serbe apo për të diskredituar Policin e Kosovës, KFOR/EULEX,
✅️ Ndërthurje të grupeve të organizuara kriminale me aktorë të shoqërisë civile serbe, të cilat përdoren si instrumente mbrojtëse dhe informuese të shërbimeve serbe,
✅️ Aktivizimin e rrjeteve të medias hibride (RT Balkans, Kosovo Online, Novosti, B92) që koordinohen me qendra të komandës së informimit në Beograd dhe Nish.
‼️ Pra :
Ky artikull nuk është vetëm një lajm i fabrikuar. Ai është një instrument operativ i luftës hibride që Serbia e zbaton kundër sovranitetit dhe funksionimit të shtetit të Kosovës.
Përdorimi i të rinjve serbë si pretekste për tensione, organizatat e “shqetësuara” si mbulesa operative, dhe mediat si amplifikatorë të narrativës, është një model i njohur i luftës së re informative.
Institucionet e Kosovës duhet të identifikojnë, ekspozojnë dhe neutralizojnë këto forma të depërtimit hibride, duke përdorur mjete të sofistikuara etj si dhe të avancohet komunikimi strategjik në nivel të diplomacisë parandalimore.