
Më 18 korrik kishte mbajtur fjalim kundër Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës në Rahovec, e kishte cilësuar atë si organizatë terroriste dhe veprimet e saja i kishte krahasuar me ato çka po ndodhin në Gazë.
Igor Popoviq ndihmës i drejtorit të ashtuquajturës Zyrë për Kosovën në Qeverinë e Serbisë, madje kishte akuzuar institucionet ndërkombëtare për “dështim në drejtësi”, duke pretenduar se “autorët e krimeve ndaj serbëve nuk janë ndëshkuar asnjëherë”.
Nuk ka kaluar as pak orë nga këto deklarime, Popoviq ishte arrestuar dhe tashmë po hetohet për veprën penale “nxitje e përçarjes dhe mosdurimit”.
Disa ditë pas arrestimit të Popoviqit, në media është transmetuar një audio- incizim ku ai ka incizuar fshehurazi/përgjuar për llogari të BIA-s serbe, një takim zyrtar në Bruksel mes përfaqësuesve serbë dhe zyrtarëve të Bashkimit Evropian. Takimi është mbajtur më 17 shtator 2020.
Në incizim dëgjohet fillimisht një komunikim në serbisht me frazën “a je gati? Po… incizo”, që nënkupton nisjen e një incizimi të fshehtë.
Më tej në takim, dëgjohet një burrë që fton Igor Popoviqin për të prezantuar, ndërsa prezantimi zhvillohet më pas nga një përfaqësuese me emrin Nevena.
Në këtë prezantim flitet për “pronat e Republikës së Serbisë” në territorin e Kosovës, duke përfshirë ato të Kishës Ortodokse Serbe dhe komuniteteve joshqiptare. Nevena thekson se zgjidhja e kësaj çështjeje kërkon “dialog politik në nivel të lartë dhe marrëveshje përfundimtare dhe ligjërisht të obligueshme”.
“Do të fillojë me temën e parë, fushëveprimi dhe struktura e çështjes së pronave. Në terme të gjera, çështja e pronave mbulon pronat e Republikës së Serbisë, të operatorëve ekonomikë të Republikës së Serbisë, në territorin e provincës autonome të Kosovës ndërmarrjet që janë pronë e shtetit, kompani dhe korporata private që i takojnë serbëve dhe popullatës jo-shqiptare në Kosovë dhe pronat e Kishës Ortodokse Serbe. Niveli politik i zgjidhjes së çështjes së pronave do të nënkuptonte dialog të nivelit të lartë që do të arrijë vendime përfundimtare dhe ligjërisht obliguese në të gjitha rastet, të cilat nuk mund të zgjidhen në nivele më të ulëta”, dëgjohet të thotë në anglisht përfaqësuesja serbe para zyrtarëve të BE-së”.
Pas përfundimit të prezantimit, incizimi vazhdon me biseda të lira në ambientet e ndërtesës ku po mbahej takimi, përfshirë diskutime mbi kufizimet e pandemisë dhe oraret e punës.
“Shpresojmë që të dielën që këto rregulla të COVID-it do të zhduken mrekullisht”, dëgjohet të thotë një grua pas takimit.
Në një pjesë tjetër të audio-incizimit, dëgjohet vetë Igor Popoviq duke komentuar: “Mendoj se deshën të eksplodojnë kur e dëgjuan atë (prezantimin)”. Ndërsa njëra nga bashkëbisedueset e pyet: “A ia dolët krejt ta merrni?”, me tjetrën që shton “e aktivizuam”. Sipas Popoviqit, rreth “dhjetë minuta” sa ka zgjatur takimi, e kanë incizuar të tërin.
Qëllimi i incizimit, heshtja e BE-së dhe mos sanksionimi i Serbisë
Profesori universitar Enver Bytyçi thotë se Serbia po të kishte mundësi do të shkaktonte çdo muaj trazira.
Në një prononcim për gazetën “Bota sot”, Bytyçi shprehet se në 26 vitet e fundit Serbia gjithçka ka organizuar me një skenar të posaçëm dhe me një synim të qartë që të revokojë shtetin dhe shtetësinë e Kosovës.
“Igor Popoviq është në arrest në Kosovë për shkak se ai mbajti një fjalim fyes për UÇK-në dhe luftën çlirimtare të shqiptarëve në vitet 1997-1998. Erdhi nga Beogradi si përfaqësues zyrtar i të ashtuquajturit Drejtor të Zyrës për Kosovën në Qeverinë e Serbisë dhe nxiti urrejtje, dasi dhe konflikt midis shumicës dërmuese të shqiptarëve dhe pakicës serbe në shtetin e Kosovës. Kjo nxitje e urrejtjes, dasisë dhe konfliktit ndëretnik në Kosovë ka qenë politikë e vazhdueshme e Serbisë. Por në 26 vitet e fundit gjithçka është organizuar me një skenar të posaçëm dhe me një synim të qartë – të revokojnë shtetin dhe shtetësinë e Kosovës. Serbia po të kishte mundur do të kishte shkaktuar çdo muaj trazira si më 17-18 mars 2004 ose akte terroriste si ai i Banjskës më 23 shtator 2023. Retorika dezintregruese dhe fjalimet luftë-nxitëse të Igor Popoviqit janë përsëritur me qindra herë. Vetë Aleksandër Vuçiq vinte në veri të Mitrovicës dhe mbante fjalime si Popoviq. Tani ka ardhur dita që këta politikanë destruktivë t’i nënshtrohen ligjit, të marrin përgjegjësi penale për atë që bëjnë. Liderët serbë janë toleruar tej mase me aventurat e tyre të fjalimeve dhe thirrjeve për luftë e konflikt midis serbëve dhe shqiptarëve. I ka toleruar Kosova vetë, por edhe Europa dhe ndërkombëtarët. Tani është mbush kupa. Mjaft është gjithnjë mjaft”, shprehet Bytyçi.
Incizimi fshehurazi në takim në Bruksel, sipas Bytyçit, është fakt i padiskutueshëm i qëndrimeve anti- evropiane të qeverisë dhe presidentit të Serbisë.
Ai thotë se me këtë rast përfaqësuesit e Bashkimit Evropian kanë mundësi që të rishikojnë qëndrimet e tyre ndaj Beogradit.
“Por është interesant se kur u arrestua Igor Popoviq reagoi Brukseli dhe bëri thirrje që të lirohej. Më pas dikush publikoi një video ose audioinçizim të këtij provokatori në Bruksel. Kur më 17 shtator 2020 po mbahej takimi i radhës midis përfaqësuesve të Serbisë në dialogun me Kosovën dhe përfaqësuesve të BE-së, Popoviq paska inçizuar fshehurazi atë takim për llogari të shërbimit sekret të BIA-s. Sigurisht që kjo është një ngjarje shumë e rëndë për autoritetin e Brukselit. Është gjithashtu edhe një fakt i padiskutueshëm të qëndrimeve anti-europiane të qeverisë dhe presidentit të Serbisë, pa dijeninë e të cilit nuk mund të ndodhte kjo. Me këtë rast përfaqësuesit e Bashkimit Europian kanë mundësi që të rishikojnë qëndrimet e tyre ndaj Beogradit. Marrëdhëniet midis tyre nuk mund të jenë marrëdhënie besimi. Përfundimisht politika serbe ka dëshmuar se bën veprime që i takojnë Luftës së Ftohtë. Madje unë nuk besoj se Tito do të lejonte veprime si këto në zyrat e Tregut të Përbashkët Europian. Serbia bën gjithçka. Po pse ajo ka kryer një akt të tillë të shëmtuar? Sepse dëshiron që të shantazhojë me inçizime të tilla. Zakonisht në tryeza të tilla flitet në mirëbesim. Nganjëherë toleranca tejkalon realdiplomacinë. Por gjithçka mbetet konfindenciale. Në konfendencialitet mund të thuhet ndonjë kritikë edhe për kundërshtarin, në rastin konkret për përfaqësuesit e Kosovës”, deklaron profesori.
Incizimet e Popoviqit janë bërë me qëllim që t’i bëhet presion BE-së, thotë Bytyçi, gjersa shton se Serbia nuk bën asnjë veprim pa një plan dhe projekt të detajuar, papërcaktuar qëllimin dhe mjetet e arritjes së atij qëllimi.
“Autoritetet e Beogradit kanë dashur të kenë në dorë inçizime të tilla, me qëllim që më vonë të bënin presion te BE. T’u thuhej se “Ja, ju vetë na keni thënë ose na keni premtuar këtë ose atë”! Ndërkohë përfaqësuesit e palës serbe, duke e ditur se po inçizoheshin do të ishin shumë të kujdesshëm në bisedime, ndërsa pala e BE-së, në padijeni të këtij fakti do të lëshonte ndoshta gojën pak më shumë se duhej në dobi të interesave serb. Nga ana tjetër ajo kohë ka përkuar me nënshkrimin në zyrën ovale të presidentit amerikan të marrëveshjeve midis SHBA-ve nga njëra anë dhe të Kosovës e Serbisë nga ana tjetër. Ka shumë mundësi që në Bruksel dikush të kishte pakënaqësi për atë zhvillim dhe shërbimi diplomatik dhe ai sekret i Serbisë oriste ndonjë shpërthim kundër SHBA-ve nga ndonjëri prej përfaqësuesve të BE-së në dialogun Kosovë-Serbi. Nëse do të ndodhte ai shpërthim do të ishte interes serb që të dokumentohej. Serbia nuk bën asnjë veprim pa një plan dhe projekt të detajuar, pa përcaktuar qëllimin dhe mjetet e arritjes së atij qëllimi. Fatkeqësisht për Serbinë, mjetet janë jo vetëm të paligjshme, por edhe të dënueshme nga pikëpamja politike dhe diplomatike. Të instalosh përgjues në zyrat e BE-së do të thotë të sillesh si armik i këtij unioni. As Stalini nuk ka mundur t’u vendoste përgjues Çurçillit dhe Ruzvelti në kohën e bisedimeve në Jaltë në përfundim të Luftës së Dytë Botërore. E bën këtë në kohët moderne Aleksandër Vuçiq, duke përdorur Igorin e vockël”, thekson Bytyçi.
Ai shton se Brukseli vazhdon ta qortojë Kosovën, kur provokimet i bën pala serbe dhe se kjo e fundit ka blerë edhe heshtjen e Tiranës.
“Dhe çfarë ndodh? Paradoksalisht Brukseli ka shënjestruar me sanksione Kosovën, e ka qortuar vazhdimisht dhe vazhdon ta qortojë qeverinë e Kosovës, ndërkohë që provokimet edhe në BE i bën pala serbe. Kjo do të thotë se investimi i qeverisë dhe presidentit të Serbisë për të manipuluar dhe korruptuar zyrtarë e drejtues të Komisionit Europian është i jashtëzakonshëm. Vuçiq ka blerë edhe heshtjen e Tiranës. Dhe Serbia në këtë pikëpamje është në avantazh. Por e vërteta dihet në Bruksel dhe në SHBA. E drejta është në anën e Kosovës. Madje, sa më shumë veprime të tilla diversive bën Beogradi, aq më shumë zbulohet e drejta e Kosovës dhe për Kosovën. Kësaj i thonë se karma kthehet në vendin e vet. Agresiviteti i Serbisë kundër Kosovës, metodat serbe të survejimit dhe provokimit të shqiptarëve shtrihen deri në Bruksel”, përfundon profesori.