Ads: Merr BB VIP Falas me Premium 12 Mujore

Lajme

Rasti Venhar Hana, deputetja Fitore Pacolli: Kur puna parlamentare jep rezultat

 
   

Me urdhër të Prokurorisë Themelore në Prishtinë, Policia e Kosovës ka arrestuar të mërkurën dy persona: avokatin Venhar Hana dhe inspektorin Dritmir Islami. Ndaj të njëjtëve, prokuroria ka paraqitur sot kërkesën për caktimin e masës së paraburgimit.

Lidhur me arrestimin e tyre, ka reaguar deputetja, Fitore Pacolli, duke thënë se është si rezultat i punës parlamentare.

“Në lidhje me vendimin e fundit të Gjykatës për tjetërsimin e paligjshëm të pronës së ish-Radio Televizionit të Prishtinës

Me vëmendje kemi ndjekur raportimet e disa mediumeve në lidhje me vendimin e fundit të Gjykatës për rastin e tjetërsimit të paligjshëm të pronës së ish-Radio Televizionit të Prishtinës. Ndërkohë që ky vendim është një hap i rëndësishëm drejt drejtësisë, ndjejmë nevojën të sqarojmë dhe theksojmë kontributin e rëndësishëm që ka dhënë Komisioni Parlamentar për Mjedis, Ushqim, Bujqësi, Planifikim dhe Zhvillim në këtë proces.

Gjatë vitit të kaluar, me vendim të Komisionit, kemi nisur hetimet parlamentare për këtë çështje. Grupi punues i kryesuar nga ish-deputeti Milazim Salijaj, me mbështetjen time të plotë si Kryetare e Komisionit dhe me angazhimin e kolegëve të tjerë deputetë, ka zhvilluar një punë të thellë dhe të kujdesshme për të nxjerrë në dritë të vërtetën”, tha ajo.

Ajo tha se e gjitha kjo është “fryt” i punës se komisionit parlamentar.

“Sot, kur Gjykata ka marrë vendim dhe ka konfirmuar gjetjet tona, ndjejmë përgjegjësi të ndajmë me publikun se ky rezultat është fryt i punës së palodhur dhe të përkushtuar të Komisionit tonë parlamentar.

Në këtë kontekst, i ftojmë mediumet të jenë të kujdesshme dhe korrekte në raportimet e tyre, duke njohur dhe vlerësuar punën institucionale të bërë nga Komisioni. Transparenca dhe bashkëpunimi janë thelbësore për një demokraci funksionale, por është po aq e rëndësishme që puna institucionale të mos tjetësohet apo anashkalohet në raportime publike”, ka shkruar ajo.