
Eksperti i sigurisë, Drizan Shala ka reaguar ndaj protestës së mbajtur në Lipjan, ku u kërkua “Drejtësi për Agonin” dhe u kritikua ashpër vetëm Policia e Kosovës, duke anashkaluar rolin e personelit mjekësor në rast.
Ai thekson se drejtësia nuk mund të kërkohet në mënyrë selektive, duke lënë jashtë hetimeve mjeken që, sipas reagimit, mund të ketë pasur përgjegjësi vendimtare për jetën e të ndjerit.
“Nëse po hetohen policët për tejkalim autorizimesh, atëherë duhet të hetohet edhe mosveprimi i mjekes. Të dy palët janë të barabarta para ligjit”, thotë ai.
Po ashtu, thekson se drejtësia nuk mund të ndërtohet mbi emocione, glorifikime apo demonizime, por mbi fakte dhe prova. “E kaluara e viktimës nuk mund të fshihet për arsye emocionale. Drejtësia duhet të jetë e plotë dhe e paanshme,” shkruan ai.
Reagimi në Facebook:
Reagim publik:
Kundër selektivitetit dhe standardeve të dyfishta në kërkesën për drejtësi !
Është e drejtë legjitime e çdo qytetari të kërkojë drejtësi. Por kur kjo drejtësi kërkohet në mënyrë selektive, ajo humb kuptimin dhe kthehet në presion publik të njëanshëm.
Në protestën e mbajtur në Lipjan, ku është kërkuar “Drejtësi për Agonin” dhe është sulmuar vetëm njëra palë – Policia e Kosovës – po anashkalohet një e vërtetë thelbësore:
📍Pse nuk kërkohet drejtësi edhe për mosveprimin e mjekes?
📍Pse nuk është mjekja në qendër të hetimeve apo ndalimit për moskryerjen e detyrës në një rast që mund të ketë qenë vendimtar për jetën e të ndjerit?
Nuk mund të ketë drejtësi të pjesshme. Nëse pretendohet se policët kanë tejkaluar autorizimet, atëherë po aq rëndësi ka edhe fakti nëse personeli mjekësor nuk ka ofruar ndihmën e duhur në kohë.
Të dy palët janë të barabarta përballë ligjit dhe duhet të trajtohen si të tilla.
Gjithashtu, drejtësia nuk mund të ndërtohet duke anashkaluar të kaluarën e personit që përflitet si viktimë. E kaluara kriminale, nëse ekziston, është një faktor që nuk mund të fshihet për arsye emocionale apo politike. E vërteta duhet të dalë në dritë në tërësinë e saj – pa glorifikime dhe pa demonizime selektive.
Të kërkosh drejtësi, do të thotë të kërkosh të vërtetën për të gjithë – pa standarde të dyfishta, pa gjykime të njëanshme dhe pa shpallur fajtorë përmes rrugës para se ta thotë drejtësia fjalën e saj.
Drejtësia nuk është veprim emocional – është proces i bazuar në prova, fakte dhe barazi para ligjit.