Ish-presidentja e Kosovës, Atifete Jahjaga, ka reaguar publikisht ndaj raportimeve që e lidhin emrin e saj me dosjen “Epstein”, duke i cilësuar ato si tërësisht të pabaza dhe të pavërteta.
Në një sqarim publik, Jahjaga thekson se gjatë mandatit të saj si Presidente e Republikës së Kosovës nuk ka pasur asnjë njohje, takim apo çfarëdo lloj kontakti me personin në fjalë.
Ajo sqaron se përmendja e emrit të saj në disa media lidhet vetëm me një korrespondencë elektronike të palëve të treta, e cila sipas saj nuk dëshmon asnjë takim, njohje apo lidhje personale. “Emri im askund nuk përmendet në asnjë lloj dokumenti të publikuar,” thekson Jahjaga.
Postimi i plotë:
Sqarim publik
Raportimet mediatike për “lidhjen time” me dosjen “Epstein” janë tërësisht të pabaza dhe të pavërteta. Si Presidente e Republikës së Kosovës nuk kam pasur asnjëherë njohje, takim apo çfarëdo lloj kontakti me personin në fjalë.
Përmendja e emrit tim nga mediat me rastin e dokumenteve të publikuara së fundmi lidhet vetëm me një korrespondencë elektronike të palëve të treta, e cila nuk përbën dhe nuk dëshmon asnjë takim, njohje apo lidhje personale me mua. Emri im askund nuk përmendet në asnjë lloj dokumenti të publikuar.
Në këtë email te palëve të treta permendet Presidenti i Kosovës, por nuk është e qartë cili, dhe nuk permendet kerkesa per takim në emër të tij apo të saj.
Çdo raportim ndryshe është insinuate dhe mashtrim i opinionit, siç mund te verehet lehtë nga dokumentet.
Kërkoj që ky sqarim të jepet në mediat të cilat e kanë lakuar emrin tim, sidomos meqenëse as nuk e kam njohur, as takuar dhe as nuk kam kërkuar takim me personin në fjalë në asnjë pozitë që kam mbajtur deri më tani.
