Lajme

Reagon SBAShK-u, kundër ligjëratës së Gjykatës Speciale në Gjimnazin “Xhevdet Doda”

Sindikata e Bashkuar e Arsimit, Shkencës dhe Kulturës (SBASHK) ka reaguar lidhur me ligjëratën e mbajtur në Gjimnazin “Xhevdet Doda” në Prishtinë nga përfaqësues të Gjykatës Speciale dhe YIHR.

Përmes një postimi në Facebook SBASHK ka shprehur shqetësimin e thellë dhe kundërshtimin e fuqishëm ndaj ligjëratës së mbajtur në Gjimnazin “Xhevdet Doda” në Prishtinë, e cila u realizua nga përfaqësues të Gjykatës Speciale, në bashkëpunim me organizatën Nisma e të Rinjve për të Drejtat e Njeriut në Kosovë (YIHR).

Moneytizer Paragrafi 2

“SBASHK e konsideron të papranueshme që institucionet arsimore të shfrytëzohen për promovimin e një narrative të njëanshme, me synimin që nxënësit të binden se Gjykata Speciale përfaqëson drejtësi”.

Në një reagim të lëshuar, Sindikata thekson se, për më shumë se pesë vite, janë mbajtur në paraburgim luftëtarët e lirisë dhe bashkëpunëtorët e NATO-s, të cilët luftuan për të drejtat elementare të popullit të Kosovës. SBASHK po ashtu kujton periudhën e represionit serb, kur Serbia mbylli të gjitha shkollat shqipe në Kosovë, përfshirë edhe Gjimnazin “Xhevdet Doda”. Sindikata vlerëson se, në këtë kontekst, është e padrejtë dhe moralisht e papranueshme që në ambientet e këtij institucioni shkollor të promovohen aktivitete që, sipas saj, barazojnë viktimën me agresorin.

Moneytizer Paragrafi 4

SBASHK gjithashtu ka shprehur shqetësim për përfshirjen e organizatës Nisma e të Rinjve për të Drejtat e Njeriut në Kosovë (YIHR), e cila, sipas Sindikatës, ka kontribuar në futjen e një agjende politike dhe ideologjike në institucionet arsimore, pa respektuar ndjeshmërinë historike dhe kombëtare të shoqërisë kosovare.

Në përfundim, SBASHK i ka bërë thirrje Ministrisë së Arsimit, Drejtorisë Komunale të Arsimit në Prishtinë dhe menaxhmentit të Gjimnazit “Xhevdet Doda” që të marrin masa konkrete ndaj këtij rasti, duke siguruar që shkollat të mos shndërrohen në hapësira për promovimin e ideologjive që mund të dëmtojnë të vërtetën historike dhe dinjitetin e luftës çlirimtare të popullit të Kosovës.

Sindikatë i ka bërë thirrje gjithashtu anëtarëve të saj dhe punonjësve të arsimit në Kosovë që të tregojnë vigjilencë dhe përgjegjësi profesionale, duke mos lejuar organizimin e aktiviteteve të ngjashme në shkolla, si dhe tutje riafirmon qëndrimin e saj të palëkundur në mbrojtje të vlerave të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës dhe të drejtuesve të saj, të cilët aktualisht po mbahen padrejtësisht në Hagë.


Të Ngjashme