Ads: Merr BB VIP Falas me Premium 12 Mujore

Histori

Reçaku sot, dhimbja që bashkon shqiptarët

 
   

Me qindra qytetarë nga gjitha trevat shqiptare edhe sot bën homazhe në Kompleksin Memorial në Reçak.

Në 27 vjetorin e masakrës, ku u vranë mizorisht gra e burra të këtij fshati, qytetarët kanë kujtuar 15 janarin e vitit 1999.

Habib Veseli nga Reçaku, tregon se si i kishte parë të gjitha kufomat në xhaminë e fshatit, pas vrasjes dhe masakrimit të tyre.

“Nuk kishe se çfarë të bëje, toka poshtë e qielli lartë, nuk ki çfarë të bësh. Vështirë boll, unë për vete nuk kom viktima, por shtëpinë e kam të kallur… të mjerët ata, po lutem këta perëndia në shpirt të tyre… unë vi këtu hiç pa ditë, vi nganjëherë në mal shëtis, vi këtu i këndoj tre Kulvallaha për shpirt të tyre e Zoti këta i shpërblen”, thotë ai.

Hajredin Haziri i cili jeton nga Zvicra, thotë se gjitha familjet në Reçak të cilët kanë humbur më të dashurit e tyre duhet të gëzojnë respekt të veçantë nga institucionet.

Haziri: Familjarët e masakrës së Reçakut duhet të kenë respekt instituciuonal

“Për anëtarët e familjes çka kanë jetuar duhet me pas respekt, disa gjëra, disa tolerime, jo shembull veç sot vijmë dhe më i shohim në rrugë dhe nuk i përshëndesim. Ato nëna, e ato duhet të kenë respekt të veçantë nga institucionet”, tha ai.

Edhe Mexhide Luboshtani e cila ka shumë familjarë nga fshati Reçak, kujton ditën e 15 janarit të vitit 1999.

Luboshtani: Ajo ditë ka qenë një tmerr

“Ditën e 15 janarit e kujtoj, mos u kthefshim kurrë në atë kohë. Asnjë popull i botës. Ne kemi pasur një vdekje, nënës time i ka vdekur axha dhe kur ka ardhur daja për varrim, i kanë thënë kthehu se në Reçak është bërë një krim jashtëzakonisht i madh dhe varroseni aty ku ka vdekur e atë ditë që ka vdek janë mbytur dy dhëndërrit, ajo ditë ka qenë një tmerr që tezet e mia, gratë e atyre dy burrave që kanë qenë të martuara për dy vëllezërit nuk mundeshin assesi me i bind që janë mbytur burrat e tyre sepse të tria e kanë pasur nga një djalë ushtar”, përfundon ajo.

Në 27 vjetorin e kësaj masakre, në Kompleksin Memorail në Reçak kanë bërë homazhe krerët e shtetit, krerë të partive politike e diplomatë të huaj.

Edhe këtë vit, në Reçak erdhi ai që i tha botës se aty ishte kryer krim kundër njerëzimit -ish shefi i atëhershmen i Misionit Verifikues të OSBE-së, William Walker.

Më 15 janar të vitit 1999 forcat serbe vranë mizorisht 45 civilë shqiptarë në fshatin Reçak të komunës së Shtimes.

Ngjarja e rëndë në Reçak nxiti reagimin e ndërkombëtarëve ku NATO vendosi të sulmoi caqet ushtarake policore serbe.