Lajme

Regjistrimi i padisë për pasivizimin e adresave në Strasburg, analistët: Moment me potencial historik për shqiptarët e Luginës

Gjykata e Strasburgut ka regjistruar për herë të parë një padi kundër Serbisë, që lidhet me pasivizimin e adresave të shqiptarëve që jetojnë në Luginë të Preshevës.

Lajmin e ka bërë të ditur të hënën avokati Drini Grazhdani, i cili njoftoi se padia është dorëzuar për shkelje të të drejtave të njeriut ndaj Teuta Fazliut. Sipas tij, regjistrimi i kësaj padie përbën një fitore fillestare dhe një hap të rëndësishëm drejt adresimit të kësaj çështjeje në nivel ndërkombëtar.

Në një postim në Facebook, Grazhdani theksoi se pajisja e rastit me numër aplikimi nga Gjykata e Strasburgut ka peshë të madhe procedurale, duke pasur parasysh se mbi 90 për qind e rasteve refuzohen që në fazën fillestare.

“Regjistrimi i padisë dhe pajisja me numër aplikimi është një hap procedural shumë i rëndësishëm. Qëllimi im kryesor është që përmes këtij rasti, Gjykata të zbatojë procedurën e vendimit pilot (rregulla 61). Kjo do të thotë që vendimi të mos mbetet vetëm për Teutën, por të detyrojë Serbinë ta ndalojë këtë praktikë sistematike për të gjithë qytetarët dhe të aplikohet në të gjitha rastet e ngjashme”, ka shkruar ai.

Sipas avokatit, praktika e pasivizimit të adresave po i detyron shqiptarët të largohen nga vendbanimet e tyre, pasi humbasin të drejtën për t’u pajisur me dokumente personale dhe për të ushtruar të drejtat bazike.

Në fund, ai u ka bërë thirrje të gjithë qytetarëve në Luginë të Preshevës që të ndjekin procedurat e brendshme ligjore, në mënyrë që rastet e tyre të mund të trajtohen më tej edhe në instanca ndërkombëtare.

Momenti historik, rëndësia dhe dimensioni ndërkombëtar

Nehat Hyseni, analist thotë se ky paraqitja e padisë përçon një sinjal të qartë dhe ai është se çështja e të drejtave të shqiptarëve në Preshevë, Bujanoc dhe Medvegjë nuk do të mbetet më vetëm objekt i dialogut politik të brendshëm, por do të trajtohet në kuadër të standardeve evropiane të mbrojtjes së të drejtave të njeriut.

Image
Nehat Hyseni

“Regjistrimi i padisë në Gjykatën Evropiane për të Drejtat e Njeriut (GJEDNJ) lidhur me praktikën e pasivizimit të adresave të shqiptarëve në Luginën e Preshevës përbën një akt me peshë të veçantë juridike dhe politike. Ky zhvillim e zhvendos çështjen nga niveli i diskursit politik të brendshëm në një forum ndërkombëtar me autoritet normativ dhe detyrues për shtetet anëtare të Këshillit të Evropës, ku bën pjesë edhe Serbia. Praktika e pasivizimit të adresave, e cila në thelb rezulton me humbje të të drejtës së votës, vështirësi në qasje ndaj shërbimeve publike, pengesa në dokumentacion dhe në disa raste rrezik të humbjes së pronësisë apo statusit juridik, është argumentuar nga përfaqësuesit shqiptarë si një formë diskriminimi indirekt me pasoja sistematike. Në këtë kontekst, paraqitja e padisë nga kryetarja e Komunës së Preshevës, znj. Ardita Sinani, dhe deputeti Shaip Kamberi, përfaqëson institucionalizimin e rezistencës juridike ndaj një praktike që perceptohet si e padrejtë dhe selektive. Ky hap përçon një sinjal të qartë: çështja e të drejtave të shqiptarëve në Preshevë, Bujanoc dhe Medvegjë nuk do të mbetet më vetëm objekt i dialogut politik të brendshëm, por do të trajtohet në kuadër të standardeve evropiane të mbrojtjes së të drejtave të njeriut”, shprehet Hyseni.

Ai tregon se çfarë mund të bëjë Serbia nëse GJEDNJ do të vlerësonte se pasivizimi i adresave përbën një problem strukturor me bazë diskriminuese.

“Procedura e vendimit pilot: potenciali transformues Një element thelbësor është mundësia që GJEDNJ të aplikojë procedurën e  “vendimit pilot”. Kjo procedurë përdoret kur Gjykata konstaton se një shkelje nuk është rast individual, por rrjedh nga një problem strukturor ose praktikë sistematike shtetërore. Nëse GJEDNJ do të vlerësonte se pasivizimi i adresave përbën një problem strukturor me bazë diskriminuese, një vendim pilot mund ta detyrojë Serbinë që: 1. Të ndryshojë legjislacionin përkatës ose praktikën administrative. 2. Të vendosë mekanizma korrigjues për personat e prekur. 3. Të raportojë mbi zbatimin e masave të kërkuara. Në aspektin juridik, një vendim i tillë do të kishte efekt detyrues për shtetin, ndërsa në aspektin politik do të përbënte një konfirmim ndërkombëtar të pretendimeve për diskriminim sistematik. Megjithatë, duhet theksuar se edhe në rast të një vendimi pilot, zbatimi praktik varet nga vullneti politik i shtetit dhe nga mbikëqyrja e Komitetit të Ministrave të Këshillit të Evropës. Prandaj, pritshmëritë duhet të jenë realiste, por jo pesimiste”, deklaron analisti.

Sipas Hyseni, procesi në GJEDNJ ka ndikim të shumëfishtë në jetën politike dhe sociale të shqiptarëve në Luginë.

Ai thotë se proceset në Strasburg janë të gjata dhe shpesh kërkojnë vite, prandaj ndikimi real afatshkurtër mund të jetë më shumë simbolik dhe politike sesa praktik.

“Një proces në GJEDNJ ka ndikim të shumëfishtë: 1. Ndikimi juridik Nëse konstatohet shkelje e të drejtave, kjo do të forconte pozitën juridike të shqiptarëve si komunitet dhe do të krijonte precedent për raste të ngjashme. 2. Ndikimi politik Legjitimiteti ndërkombëtar i ankesës rrit presionin diplomatik mbi autoritetet shtetërore. Çështja kalon nga retorika politike në një çështje të dokumentuar juridikisht. 3. Ndikimi social Vetë fakti i adresimit të çështjes në një forum evropian ka efekt mobilizues dhe psikologjik për komunitetin shqiptar. Ai krijon ndjesinë e përfaqësimit dhe të mbrojtjes institucionale, duke reduktuar ndjenjën e izolimit. Megjithatë, proceset në Strasburg janë të gjata dhe shpesh kërkojnë vite. Prandaj, ndikimi real afatshkurtër mund të jetë më shumë simbolik dhe politik sesa praktik, ndërsa ndikimi afatgjatë mund të jetë strukturor”, pohon Hyseni.

Ai flet edhe rreth dimensionit ndërkombëtar.

“Në planin transatlantik, angazhimet në Kongresin e Shteteve të Bashkuara lidhur me Rezolutën 6411 shtojnë një dimension të ri presioni diplomatik. Nëse rezoluta kërkon monitorim të respektimit të të drejtave të shqiptarëve në Luginë, atëherë kombinimi i: • Procesit gjyqësor në GJEDNJ • Aktivizimit të mekanizmave të Këshillit të Evropës • Ndjekjes politike në Kongresin Amerikan krijon një sinergji ndërkombëtare që rrit gjasat për ndryshim real. Nga pikëpamja e së drejtës ndërkombëtare publike, ndërthurja e instrumenteve juridike (vendime gjyqësore) me mekanizma politikë (rezoluta parlamentare) shpesh rezulton më efektive sesa secili mekanizëm i izoluar”, shprehet analisti.

Moment me potencial historik, kështu e quan Hyseni regjistrimin e padisë, por sipas tij duhen disa kushte që të bëhet momenti historik.

 “Ky është një moment historik Për nga simbolika dhe dimensioni ndërkombëtar, po – ky është një moment me potencial historik. Por “zgjidhje definitive” nuk prodhohet automatikisht nga një padi, sado e rëndësishme të jetë ajo. Një moment bëhet historik kur plotësohen disa kushte: 1. Kur vendimi i Gjykatës është i qartë dhe konstaton shkelje sistematike. 2. Kur shteti zbaton rekomandimet në mënyrë të plotë. 3. Kur komuniteti i prekur arrin të institucionalizojë të drejtat e fituara. Prandaj, ky zhvillim duhet parë si fillimi i një faze të re juridike dhe diplomatike, jo si përfundim i procesit. V. Përfundime dhe pritshmëri realiste Paraqitja e padisë nga përfaqësuesit institucionalë shqiptarë shënon kalimin nga retorika politike në artikulim juridik ndërkombëtar të pretendimeve për diskriminim. Nëse GJEDNJ e trajton çështjen si problem strukturor dhe aplikon procedurën e vendimit pilot, Serbia mund të përballet me detyrime konkrete për ndalimin e praktikës së pasivizimit të adresave. Ndikimi real do të varet nga: • Qartësia e vendimit të Gjykatës • Presioni ndërkombëtar për zbatim • Kohezioni politik i përfaqësuesve shqiptarë Në këtë kuptim, procesi para GJEDNJ-së dhe angazhimet në Kongresin Amerikan mund të krijojnë një momentum të ri për avancimin e të drejtave kolektive dhe individuale të shqiptarëve në Preshevë, Bujanoc dhe Medvegjë. Ky është një moment me potencial historik – por historia do të shkruhet nga mënyra se si do të zbatohen vendimet dhe si do të strukturohet veprimi politik e diplomatik në vijim, si dhe nga sinergjia e veprimit unik të shqiptarëve në Luginë, duke u mirëkoordinuar e mbështetur fuqishëm nga Tirana dhe Prishtina zyrtare”, përfundon Hyseni.

Shpresat te ndërkombëtarët dhe detyrat e Serbisë

Ndërsa, publicisti dhe veprimtari nga Bujanoci, Refik Hasani, thotë se regjistrimi i padisë nga Gjykata Evropiane për të Drejtat e Njeriut, është një zhvillim shumë pozitiv.

Image
Refik Hasani

Sipas tij, meqenëse lënda është pranuar atëherë mbetet shpresa se brenda këtij viti mund të nxirret një vendim i drejtë, real dhe objektiv.

“Gjykata Evropiane e Strasburgut për të Drejtat e Njeriut, meqë  ka regjistruar padinë e dorëzuar për shqyrtim, që ka temën shumë të ndjeshme për shqiptarët në Krahinën  që përfshin Preshevë, Medvegjë dhe Bujanoc, e vlerësoj si një zhvillim shumë pozitivë. Pra ky veprim i pranimit të Padisë të ushtruar në një instancë shumë kredibile të nivelit Evropiane për të Drejtat e Njeriut, përbën më shumë se një lajm, pasi kemi të bëjmë mbi diskriminimin përmes pastrimit etnik-pasivizimit të adresave. Lënda meqë është pranuar na mban shpresa, brenda këtij viti do të nxirret  një vendim i drejtë, real dhe objektiv që pasqyron gjendjen faktike në terren në këtë Rajon ku popullata janë autokton dhe vazhdon të ruan shumicën etnike shqiptare”, deklaron Hasani.

Ai pret që ky rast ta detyrojë Serbinë të ndalojë praktikën e pasivizimit të adresave në mënyrë sistematike.

“Mendoj  se Gjykata Evropiane e Strasburgut për të Drejtat e Njeriut, pas ndjekjes së procedurave tjera, duke inicuar në kërkim të përgjigjeve përkatëse nga instancat më të larta të Serbisë, do të nxjerr vendim të drejt. Në fund pritët, që Gjykata të zbatojë procedurën e vendimit pilot (rregulla 61). Kjo rregull vlen edhe si mostër për raste tjera, dhe  vendimi të mos mbetet e kufizohet vetëm për shkeljet e të drejtave të njeriut që kanë ndodhur ndaj Teuta Fazliu, nga Bujanoci, por edhe shkeljet e të drejtave tjera të njeriut. Presim ky rast  do të detyrojë Serbinë të ndalojë këtë praktikë sistematike për të gjithë dhe të aplikohet në të gjitha rastet e ngjashme, për Preshevë, Medvegjë dhe Bujanoc”, shprehet publicisti.

Rol të jashtëzakonshëm, e quan dorëzimin e padisë Hasani, gjersa shton se janë dy fakte tjera të më hershme që forcojnë, mbështesin dhe rrisin gjasat reale

“Dorëzimi i padisë ndaj Serbisë,  në Gjykatën Evropiane të Strasburgut për të Drejtat e Njeriut, lidhur me   diskriminimin përmes pastrimit etnik-pasivizimit të adresave, ka një rol të jashtëzakonshëm në favor të kësaj Krahine, pasi Padia është dorëzuar për shkeljet e të drejtave të njeriut që kanë ndodhur ndaj një pale, por që kjo do të reflekton që ky proces të ndalet, dhe të mos vazhdon të praktikohet më tej, pra ky proces në jetën politike, në jetën sociale do të prodhon efekte pozitive që të ndërpritet menjëherë  ky trend. Janë dy fakte tjera të mëhershme, që e forcojnë, mbështesin dhe i rrisin gjasat reale pasi  janë dy procese me peshë politike, juridike nga instanca më të larta të BE-së, Senati dhe Kongresi i SHBA-ve,  që kanë ndodhur më parë dhe kujtojmë se tani Serbia nuk mund të fshehë më diskriminimin,  sepse pas disa raportimeve: Pasi Serbia  i shkel, cenon, mohon, diskriminon të drejtat themelore individuale dhe të drejtat kolektive dhe është miratuar një Rezolutë, më 8 korrik  2022,  nga Parlamenti Evropian, që kërkohet hetim për pasivizimin e vendbanimeve për shqiptarët e Preshevës, Medvegjës e Bujanocit,  mbi   spastrim etnik-diskriminim, pastaj me shumë peshe, ndikim e relevancë ndërkombëtare është edhe: Prezantimi i Projektligjit  të REZOLUTËS, e iniciuar nga Kongresmeni amerikan Keith SELF, Kryetar i Nënkomitetit për Evropë i cili  më 21 janar 2026, në  mbledhjen e Komitetit për Punë të Jashtme të Kongresit të SHBA-s, inicoi duke prezantuar  Rezolutën me numër H.R. 6411, ku përmes dëshmive të bollshme paraqiti diskriminimin sistematik të komunitetit etnik  shqiptarë në Preshevë, Medvegjë, dhe Bujanoc. Pra me nxjerrjen e një vendimi  edhe nga Gjykata Evropiane e Strasburgut për të Drejtat e Njeriut, pastaj edhe  Miratimi i Projektligjit  të Rezolutës,  me numër H.R. 6411, duke e nënshkruar edhe Predenti i SHBA-s Donald J.TRUMP, do të kemi tri procese, do të kemi vendim me relevanc, peshë dhe rëndësisë lirisht mundë të shprehemi ndërkombëtare, pasi është SHBA-ja, BE-ja dhe Gjykata Evropiane e Strasburgut për të Drejtat e Njeriut. Kështu është vazhdim dhe adresim në nivele e mekanizma ndërkombëtarë për një  zgjidhje të drejtë, përmes mjeteve politike e demokratike, por të qëndrueshme, dhe me ndërmjetësimin e palës ndërkombëtare”, përfundon Hasani.

Të Ngjashme