Ndjesia e pakëndshme e fryrjes së barkut shkakton parehati dhe njëkohësisht pothuajse dyfishon perimetrin e belit, duke e bërë barkun të duket më i madh.
Shumica e njerëzve e dinë se cilat ushqime u shkaktojnë fryrje dhe përpiqen t’i shmangin për të luftuar problemin. Nëse fryrja është e shpeshtë dhe ndikon në jetën e përditshme, rekomandohet vizita te mjeku dhe ndjekja e udhëzimeve që ai jep.
Tradicionalisht, ekzistojnë disa bimë mjekësore që lehtësojnë simptomat. Më poshtë janë disa sugjerime nga “farmacia e natyrës” që mund t’i provoni dhe t’i përfshini në përpjekjen tuaj për të pasur një bark më të sheshtë.
Si t’i konsumoni bimët
Përdorini në formë çaji: hidhni një lugë çaji nga bima në një filxhan me ujë dhe ziejeni. Mos konsumoni më shumë se dy çajra në ditë.
Mentja
Mentja (Mentha piperita) ka veprim tretës dhe përdoret tradicionalisht për lehtësimin e problemeve të tretjes, përfshirë simptomat e sindromës së zorrës së irrituar. Ajo relakson zorrët, qetëson dhimbjen dhe redukton fryrjen. Në shumë vende lindore, çaji i mentës shërbehet pas vakteve, pasi ndihmon tretjen dhe freskon frymëmarrjen. Shpesh kombinohet me kamomil.
Nenexhik
Nenexhiku, ashtu si mentja, ka veprim relaksues, “zbut” stomakun dhe ndihmon kundër urthit dhe fryrjes.
Kamomil
Kamomili, një nga bimët mjekësore më të njohura dhe më të përdorura, ka veprim të butë dhe është i përshtatshëm për të gjithë. Pas një vakti që ka shkaktuar fryrje, çaji i kamomilit është ideal për qetësimin e barkut. Përveç kësaj, ka edhe veprim të lehtë diuretik.
Ushqimet që duhen shmangur
Ushqimet që shkaktojnë fryrje nuk janë të njëjta për të gjithë, megjithatë disa prej tyre dihet se favorizojnë përgjithësisht këtë problem. Mjafton të vëzhgojmë se cilat nga ushqimet e mëposhtme na shqetësojnë dhe t’i shmangim, sidomos kur planifikojmë të veshim rroba të ngushta që theksojnë barkun:
- Thjerrëza, fasule, qiqra
- Angjinare, shpargull, lakër Brukseli, brokoli, lulelakër, presh
- Speca, bizele, kastravecë, qepë
- Pije të gazuara
- Misër, produkte nga gruri integral
- Qumësht, djathëra, akullore, ushqime të përpunuara që përmbajnë laktozë
