Remitencat në Kosovë gjatë vitit 2025 arritën një vlerë totale prej rreth 1.4 miliardë euro, duke dëshmuar kështu rëndësinë që ka diaspora për ekonominë e vendit.
Pjesa më e madhe e këtyre mjeteve vjen nga Gjermania, e cila kryeson me 547.4 milionë euro, që përbën 39% të totalit.
Pas saj renditet Zvicra me 250.2 milionë euro (18%), ndërsa Shtetet e Bashkuara të Amerikës kontribuojnë me 102.5 milionë euro, ose 7%.
Referuar grafikës së GAP-it, kontribute të rëndësishme vijnë edhe nga Austria me 59.3 milionë euro (4%) dhe Italia me 54.3 milionë euro (4%).
Ndërkohë, vendet e tjera si Franca (48.4 milionë euro), Suedia (47.0 milionë euro), Belgjika (46.2 milionë euro), Britania e Madhe (36.9 milionë euro) dhe Norvegjia (29.8 milionë euro) secila përbëjnë rreth 2–3% të totalit.
Kështu, duke pasur parasysh këtë varësi të konsiderueshme nga remitencat, sa të rëndësishme janë këto dërgesa për zhvillimin ekonomik dhe mirëqenien sociale në Kosovë?
Jakup Bellaqa: Remitencat rriten, por Kosova mbetet më shumë konsumuese sesa prodhuese
Lidhur me këtë ҫështje, për ‘Bota sot’ ka folur njohësi dhe eksperti i ekonomisë, Jakup Bellaqa.
Ai vlerëson se remitencat e dërguara gjatë vitit 2025 në Kosovë kanë shënuar rritje krahasuar me vitin paraprak.
“Remitencat e dërguara gjatë vitit 2025 në Kosovë kanë shënuar rritje prej rreth 4% në krahasim me vitin paraprak. Vlera e arritur vitin e kaluar ishte rreth 1.4 miliardë euro”, theksoi Bellaqa.
Sipas tij, pjesa më e madhe e këtyre mjeteve vjen nga shtetet ku jeton diaspora nga Kosova.
“Pjesa më e madhe e remitencave vjen nga Gjermania me 39%, e ndjekur nga Zvicra me 18%, SHBA-ja me 7%, Austria me 4%, Italia rreth 4%, Franca 3%, Belgjika 3%, Britania e Madhe 3% dhe Norvegjia 2%”, tha ai.
Megjithatë, Bellaqa vlerëson se këto mjete përdoren kryesisht për konsum dhe jo për investime zhvillimore.

Jakup Bellaqa
“Në terma realë ekonomikë, këto mjete shkojnë më së shumti për konsum, çka tregon se jemi një shoqëri më shumë konsumuese sesa prodhuese dhe investuese”, u shpreh ai.
Ai shtoi se remitencat kanë ndikim pozitiv në mirëqenien sociale dhe stabilitetin financiar, por një pjesë e konsiderueshme orientohen edhe në sektorin e patundshmërive.
“Këto dërgesa ndikojnë në mirëqenien ekonomike dhe sociale dhe në stabilitetin financiar, por një pjesë e tyre shkon në blerjen e pasurive të paluajtshme, si banesa, shtëpi dhe troje”, deklaroi Bellaqa.
Eksperti apelon që institucionet shtetërore të ndërmarrin masa për ndryshimin e strukturës ekonomike.
“Legjislativi dhe ekzekutivi duhet të veprojnë për të orientuar investimet drejt veprimtarive prodhuese, me qëllim rritjen e prodhimit vendor, përpunimit, sektorit të shërbimeve dhe produktivitetit”, theksoi ai.
Sipas tij, kjo do të ndikonte drejtpërdrejt në uljen e importit dhe rritjen e eksportit.
“Ulja e importit dhe rritja e eksportit mund të arrihen vetëm nëse krijohet një mjedis i favorshëm rregullator, funksionalizim institucional dhe ndryshim i politikave makroekonomike, makrofiskale, doganore dhe monetare”, përfundoi Bellaqa.
Hebibi: Diaspora, arteria kryesore e ekonomisë së Kosovës, meriton më shumë respekt dhe investime
Po ashtu, këtë ҫështje e ka komentuar edhe veprimtari nga mërgata, Dashnim Hebibi. Ai thekson se gjatë vitit 2025, remitencat në Kosovë arritën vlerën prej 1.4 miliardë eurosh, duke shënuar një rritje prej 59 milionë eurosh, ose rreth 4%, krahasuar me vitin paraprak.
“Sipas Institutit GAP, pjesa më e madhe e këtyre mjeteve vjen nga Gjermania me 39%, e ndjekur nga Zvicra me 18%. Kjo tregon se diaspora mbetet një nga shtyllat kryesore të ekonomisë së vendit,” deklaroi Hebibi.

Dashnim Hebibi
Ai shtoi se pyetja thelbësore që duhet të shtrohet është: sa të rëndësishme janë këto dërgesa për zhvillimin ekonomik dhe mirëqenien sociale në Kosovë?
“Si ndikojnë ato në konsum, investime dhe stabilitet financiar? Dhe mbi të gjitha, a duhet të ketë një përfshirje më të madhe dhe më të strukturuar të diasporës në zhvillimin ekonomik të vendit?” tha ai.
Hebibi nënvizon se diaspora shpesh përmendet vetëm kur i duhet atdheut, por historikisht ka dhënë vazhdimisht për vendin.
“Diaspora nuk ka pritur asgjë nga atdheu; ajo ka qenë dhe mbetet arteria kryesore e Kosovës dhe e trojeve të tjera shqiptare,” theksoi ai.
Ai potencon se mërgata ka kontribuar në mënyrë të jashtëzakonshme, jo vetëm gjatë luftës dhe për çlirimin e vendit, por edhe sot për gjeneratat e reja.
“Çdo prind në diasporë dëshiron t’u krijojë kushte më të mira fëmijëve të tij dhe të mbajë gjallë lidhjen me atdheun, qoftë edhe përmes pushimeve,” deklaroi Hebibi.
Megjithatë, Hebibi shpreh shqetësimin për paragjykimet dhe përgojimet që dëmtojnë imazhin e diasporës.
“Nëse marrëdhënia me diasporën nuk funksionon siç duhet, përgjegjësia bie mbi shtetet tona, të cilat nuk kanë investuar dhe nuk po investojnë sa duhet për mërgatën,” tha ai, duke u bazuar në përvojën e tij mbi 20-vjeçare në Zvicër.
Ai shtoi se diaspora ka potencial të madh për të investuar në zhvillimin ekonomik të Kosovës, por shpesh zgjedh vendet ku jeton për shkak të sigurisë dhe procedurave më të qarta.
“Shprehja ‘patriot është ai që investon në atdhe’ mbetet e vlefshme, por për këtë duhet të krijohen kushte reale: siguri, transparencë dhe më pak burokraci,” deklaroi Hebibi.
Eksperti nënvizon edhe rolin e diasporës në sektorin humanitar, kulturor dhe sportiv:
“Vetëm në Zvicër ekzistojnë mijëra biznese shqiptare që gëzojnë reputacion dhe autoritet. Pa diasporën, shumë shoqata bamirëse, shkolla dhe aktivitete kulturore nuk do të funksiononin,” tha ai.
Hebibi përfundon me një mesazh të qartë.
“Pa diasporën, zhvillimi ekonomik dhe shoqëror i Kosovës do të ishte shumë më i vështirë. Prandaj, duhet jo vetëm njohja e kontributit të saj, por edhe një strategji e qëndrueshme dhe gjithëpërfshirëse që e bën diasporën pjesë aktive dhe të respektuar të së ardhmes së vendit.”
