Ka ndërruar jetë së fundmi në spital për shkak të plagëve të marra, shoferi 39-vjeçar i makinës me të cilën po transportoheshin 5 punonjësit shqiptarë për në fermën bujqësore, ngjarje e ndodhur më 2 mars nga e cila humbi jetën i riu shqiptar Flori Topalli, 24 vjeç.
Pas katër ditësh i shtruar në spital për rrjedhojë të aksidentit tragjik, zemra e Tili Pilincit pushoi së rrahuri në njësinë e kujdesit intensiv të Villa Sofia në Palermo.
Kujtojmë se të hënën e kaluar, Pilinci po drejtonte makinën e cila u përplas me një kamion të rëndë të ngarkuar me fruta dhe perime, ku gjeti vdekjen e menjëhershme Flori Topalli, e mbetën të plagosur dhe 6 të tjerë.
Numri i viktimave në aksidentin tragjik të mëngjesit të hershëm në autostradën Naro-Camastra, tani është rritur në dy.
Kujtojmë se Flori Topalli 24 vjeç, ndërroi jetë menjëherë pas përplasjes ku mbetën të plagosur 6 persona, në mesin e tyre dhe Pilinci i cili ishte në gjendje të rëndë prej ditësh.
“Tridhjetë e nëntë vjeçari shqiptar u konsiderua menjëherë në gjendje kritike dhe u transferua nga spitali Barone Lombardo në Canicattì në Villa Sofia në Palermo, ku ai dha frymën e fundit, mjekët gjithmonë kanë mbajtur një prognozë konfidenciale për jetën e tij”, njoftuan autoritetet për mediat italiane.
