Ministri i Mbrojtjes së Shqipërisë, Pirro Vengu ka thënë se gjatë natës, të gjitha strukturat vendore dhe ekipet operacionale kanë vijuar punën në terren për normalizimin e situatës në zonat e prekura nga moti i keq, për sigurimin e akseve rrugore dhe rikthimin e energjisë elektrike.
Vengu ka paraqitur situatën aktuale, ku në disa qarqe ende paraqiten probleme, ndërsa në Kukës të gjitha rrugën janë të kalueshme.
Poshtu disa fshatra dhe zona adniminstrative ende kanë mungesë të energjisë elektrike.
Qarku Lezhë
Vijon puna për normalizimin e situatës në fshatrat Gjorm, Zhejë dhe Fushë-Mamurras, në njësinë administrative Mamurras, bashkia Kurbin.
Rruga në fshatin Shpërtheth mbetet e dëmtuar nga ujërat e lumit Droje, por po punohet nga forcat në terren.
Po vijon gjithashtu puna për sigurimin e kalueshmërisë në segmentin rrugor Skuraj–Gallatë, në njësinë administrative Milot, si dhe në njësinë administrative Kaçinar, ku ura në fshatin Shpërdhezë u dëmtua nga reshjet me intensitet të lartë.
Qarku Durrës
Situata në njësitë administrative Sukth, Katund i Ri dhe Ishëm është drejt normalizimit; ujërat janë tërhequr nga zonat e prekura.
Niveli i ujit në lumenjtë Erzen dhe Ishëm është brenda kuotave normale.
Hidrovorët në Porto Romano dhe Hamallaj vijojnë punën me kapacitet të plotë.
Qarku Kukës
Të gjitha akset rrugore nacionale janë të kalueshme.
Qarku Shkodër
Është zhbllokuar segmenti rrugor Theth–Ndërlysaj, në njësinë administrative Shalë.
Mbetet i bllokuar segmenti Ndërlysaj–Breg-Lumi, ku punimet do të vijojnë gjatë ditës së sotme.
Qarku Gjirokastër
Aksi rrugor Sofratikë–Libohovë është kthyer në normalitet.
Aktualisht ka prani të shtuar ujërash në segmentin rrugor Gjirokastër–Tepelenë, në urën e Kardhiqit dhe në rrethrrotullimin e urës së lumit në qytetin e Gjirokastrës.
Qarku Elbasan
Vijojnë punimet për pastrimin e inerteve në segmentin rrugor Elbasan–Peqin, në vendin e quajtur “Murraç”, si dhe në segmentin Elbasan–Librazhd.
Qarku Korçë
Në fshatin Sanjollas, njësia administrative Barmash, bashkia Kolonjë, situata është normalizuar falë zhbllokimit të tombinove dhe pastrimit të inerteve, duke shmangur rrezikun për banesat.
SITUATA ENERGJETIKE
Ekipet e OSHEE-së po vijojnë punën për rikthimin e furnizimit me energji:
- në fshatrat Skuraj, Vinjollë dhe Gallatë, në qarkun e Lezhës
- në njësitë administrative Topojan, Shishtavec, Zapod, Bytyç dhe Lekbibaj, në qarkun e Kukësit
- në njësitë administrative Hajmel dhe Vig–Mnelë (bashkia Vau-Dejës), si dhe në Iballë dhe Qafë-Mali (bashkia Fushë-Arrëz), në qarkun e Shkodrës
- në zonën Maricaj, Memaliaj, në qarkun e Gjirokastrës

