Kirurgë nga Skocia dhe SHBA-ja kanë kryer me sukses atë që besohet të jetë operacioni i parë në botë për trajtimin e goditjes në tru nga distanca, duke përdorur teknologji të avancuar robotike që deri dje dukej si fantashkencë.
Prof. Iris Grunwald nga Universiteti i Dundee realizoi një trombektomi nga distanca – heqjen e një mpiksjeje gjaku pas goditjes në tru mbi një kufomë njerëzore të dhuruar për mjekësi shkencore. Ajo operoi nga spitali “Ninewells” në Dundee, ndërsa trupi ndodhej në anën tjetër të qytetit, në universitet.
Disa orë më pas, Ricardo Hanel, një neurokirurg me bazë në Florida, e çoi përvojën në një tjetër nivel: ai kreu procedurën e parë robotike transatlantike, duke operuar nga zyra e tij në Jacksonville mbi një kufomë në Dundee rreth 6.400 kilometra larg!
Ekipi e ka përshkruar këtë si një “ndryshim të madh loje”, që mund të revolucionarizojë trajtimin e goditjeve në tru nëse miratohet për përdorim klinik.
“Ndiheshim sikur po shihnim për herë të parë një pamje nga e ardhmja. Ajo që më parë konsiderohej si fantashkencë, ne demonstruam se çdo hap i procedurës mund të kryhet tashmë”, ka thënë prof. Grunwald.
Ekspertët theksojnë se kjo teknologji mund të shpëtojë jetë në zona të largëta, ku vonesat për të arritur qendrat e specializuara shpesh ndikojnë ndjeshëm në shanset e mbijetesës.
Universiteti i Dundee, që është një qendër trajnimi botërore për Federatën Botërore për Trajtimin Ndërhyrës të Goditjeve në Tru, është institucioni i vetëm në Mbretërinë e Bashkuar ku mjekët mund të operojnë mbi kufoma njerëzore me lëng që imiton rrjedhjen e gjakut.
“Kjo ishte hera e parë që mundëm të kryenim gjithë procedurën e trombektomisë mekanike në një trup të vërtetë njerëzor për të treguar se çdo hap i saj është i mundur”,
shtoi Grunwald.
Edhe Juliet Bouverie, drejtoreshë ekzekutive e Shoqatës së Goditjeve në Tru, e ka cilësuar këtë si një “inovacion të jashtëzakonshëm” që mund të sheshojë pabarazitë mjekësore në trajtimin e pacientëve.
“Ata që jetojnë në zona të largëta e rurale kanë qenë për shumë kohë të privuar nga qasja në trombektomi. Teknologjitë robotike si kjo mund të ndihmojnë në balancimin e pabarazive që ekzistojnë në trajtimin e goditjeve në tru në gjithë Mbretërinë e Bashkuar”, ka deklaruar ajo.
Sipas studiuesve, suksesi i këtyre provave mund të hapë rrugën për adoptim global, duke bërë të mundur që mjekët të shpëtojnë jetë edhe nga kontinente të tjera – një hap gjigant drejt mjekësisë së së ardhmes.


