Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Lumir Abdixhiku, ka deklaruar se merr përgjegjësinë për rezultatin e dobët të arritur në zgjedhjet e fundit parlamentare.
Abdixhiku ka deklaruar se rezultati zgjedhor nuk ka qenë i pritshëm, duke theksuar se situata kërkon reflektim të thellë brenda partisë.
Ai ka shtuar se mban përgjegjësi të plotë për rezultatin e zgjedhjeve dhe se do t’i thërrasë organet e LDK-së për të diskutuar hapat e mëtejmë.
“Duke marrë përgjegjësinë, ditëve në vijim do ta thërras Kuvendin e LDK-së dhe para tij do t’i shpalosim e shqyrtojmë të gjitha çështjet dhe përgjegjësit që mbaj si kryetar”.
“Rezultati i LDK-së nuk është ai që e kemi pritur dhe dëshiruar. Është moment reflektimi. Kur qytetarët flasin, ne duhet të dëgjojmë. Demokracia funksionon kur udhëheqësit mbajnë përgjegjësi, edhe kur kanë humbje të tilla”, ka deklaruar Abdixhiku.
Ai po ashtu ka bërë të ditur se çështja e dorëheqjes së tij do të diskutohet edhe në Kuvendin e Përgjithshëm të LDK-së.
“Në Kuvendin e Përgjithshëm edhe dorëheqja do të vihet në diskutim”, ka theksuar Abdixhiku.

