Lajme

Richard Grenell drejt një roli të ri? Dyshime për një rikthim të mundshëm në dialogun Kosovë–Serbi

Presidenti amerikan, Donald Trump, ka njoftuar se Richard Grenell do të dorëhiqet nga posti i drejtorit të “John F. Kennedy Center for the Performing Arts” në Uashington, D.C., një rol që ai e mbajti që nga emërimi në muajin shkurt të vitit 2025.

Pavarësisht afërsisë së mëparshme mes Trumpit dhe Grenellit – një mik i afërt që ka mbajtur poste të ndryshme gjatë dy mandateve presidenciale – tha se, presidenti është lodhur nga një sërë titujsh negativë në media për ndryshimet në institucion, thanë burimet për cnn.

Por, pavarësisht kësaj, Trump siç duket nuk do ta lë pa pozitë Grenellin. Ai ka paralajmëruar se do ta emërojë atë në një pozitë të re.

“Pati një histori se ai u pushua nga puna. Ai nuk u pushua nga puna,” tha Trump, duke e përshkruar qëndrimin e Grenell si një detyrë të përkohshme që synonte të ndihmonte në stabilizimin e organizatës gjatë tranzicionit. Trump shtoi se ai tashmë po kërkonte një detyrë tjetër për Grenell. “Po kërkoj sipërmarrjen tuaj të radhës”, tha Trump.

Mirëpo, pas deklaratës së Trumpit, janë hedhur disa dyshime mbi atë se, a mund të rikthehet Grenell si emisar për dialogun Kosovë-Serbi?

Mehmeti: Grenelli shihet si një lobues i fortë i Vuçiqit dhe i Serbisë për çka edhe ka marrë mirënjohje

Analisti politik, Faton Mehmeti shpreh kundërshtim në rast të rikthimit të Richard Grenell, duke thënë se kjo do ta komplikonte situatën për Kosovën.

Ai paralajmëron tensione me Albin Kurtin, zvarritje procesesh dhe krizë politike, ndërsa e konsideron Grenellin si të afërt me Aleksandar Vuçiqin dhe Serbinë.

Image
Analisti politik, Faton Mehmeti

“Uroj që Grenelli të mos rikthehet në pozitën e negociatorit sepse do të komplikohen shumë punët për Kosovën, ka sinjale që mund të jetë, fakti që Trump e ka përmend Kosovën disa herë dhe fakti tjetër që e shkarkoi pikërisht Grenellin nga pozita e mëherëshme nënkupton që mund të emërohet.

Uroj që të mos jetë, që të mos ketë të bëjë lidhje me Kosovë sepse do të futet situata me një ngërç me Kurtin i cili do të hezitojë të jetë kryeminsitër në kuptimin që ta shtyjë sa më gjatë këtë proces duke e zvarritur procesin e zgjidhjes së presidentit në mënyrë që të shkohet në zgjedhje dhe prapë të ketë kriza që derisa të kalojë mandati i Trumpit.

Gjithsesi, presi të shohim çka do të ndodhë, por ky do të jetë një lajm i keq për Kosovën sepse Grenelli shihet si një lobues i fortë i Vuçiqit dhe i Serbisë për çka edhe ka marrë mirënjohje”, nënvizoi Faton Mehmeti për gazetë.

Jakupi: Gjatë angazhimit të tij të mëparshëm, Grenell u shqua për një qasje pragmatike dhe të drejtpërdrejtë

Kurse, opinionisti Zejnullah Jakupi në një përgjigje për “Bota sot”, se thotë se rikthimi i Richard Grenell në dialogun Kosovë–Serbi ngre dilema për përshtatshmërinë e tij si ndërmjetës.

Ai thekson se, Grenell kishte qasje pragmatike me fokus ekonomik, por kjo anashkalon çështjet thelbësore politike. Po ashtu, mungesa e besimit me Albin Kurtin e bën më pak efektiv si ndërmjetës.

Image
Opinionisti Zejnullah Jakupi

“Debati mbi mundësinë e rikthimit të Richard Grenell në dialogun ndërmjet Kosovës dhe Serbisë ngre një pyetje thelbësore: kush është “personi i duhur” për të ndërmjetësuar një proces kaq të ndërlikuar politik dhe historik? Kjo çështje nuk lidhet vetëm me individin, por me stilin e diplomacisë që përfaqëson dhe me objektivat që synohen të arrihen.

Gjatë angazhimit të tij të mëparshëm, Grenell u shqua për një qasje pragmatike dhe të drejtpërdrejtë. Ai i dha përparësi marrëveshjeve ekonomike dhe projekteve konkrete, duke synuar të krijojë një klimë më bashkëpunuese mes palëve. Kjo metodë u vlerësua nga disa si efikase, pasi solli rezultate të prekshme në një kohë relativisht të shkurtër. Megjithatë, kjo qasje anashkalon thelbin e konfliktit, i cili lidhet me çështje politike dhe statusore që kërkojnë zgjidhje më të thella dhe më të qëndrueshme.

Një nga arsyet kryesore pse Grenell shihet si figurë problematike në këtë proces është marrëdhënia e tij me udhëheqjen aktuale në Kosovë, veçanërisht me Albin Kurtin. Mungesa e besimit ndërmjet një ndërmjetësi dhe njërës palë e dobëson ndjeshëm efektivitetin e dialogut. Në diplomaci, perceptimi i paanshmërisë është po aq i rëndësishëm sa edhe vetë veprimet. Nëse njëra palë ndjen se trajtohet në mënyrë të pabarabartë, procesi rrezikon të bllokohet ose të prodhojë marrëveshje të paqëndrueshme”, u shpreh ai për gazetën.

Tutje, Jakupi u shpre se, nga perspektiva e Donald Trump, Richard Grenell mund të jetë efektiv për presion dhe rezultate të shpejta.

Megjithatë, ai nënvizon se dialogu Kosovë–Serbi kërkon besim dhe zgjidhje afatgjata.

“Nga ana tjetër, duhet marrë parasysh edhe perspektiva e Donald Trump, i cili shpesh favorizon figura që ndajnë stilin e tij të drejtpërdrejtë dhe orientimin drejt rezultateve të shpejta. Në këtë kontekst, Grenell mund të shihet si një instrument efektiv për të ushtruar presion mbi palët dhe për të nxitur lëvizje konkrete në negociata. Për Trumpin, mungesa e harmonisë me një palë nuk është domosdoshmërisht pengesë, por ndonjëherë një mënyrë për të ndryshuar dinamiken e dialogut.

Megjithatë, dialogu Kosovë–Serbi nuk është një proces i zakonshëm negociues. Ai kërkon jo vetëm rezultate të shpejta, por edhe legjitimitet politik dhe pranueshmëri të gjerë nga të dyja shoqëritë. Një marrëveshje e arritur nën presion, pa besim të ndërsjellë, mund të jetë e brishtë dhe e vështirë për t’u zbatuar në praktikë. Për këtë arsye, ndërmjetësi ideal duhet të balancojë efikasitetin me ndërtimin e besimit, duke qenë i pranueshëm për të dyja palët.

Në përfundim, vlerësimi nëse Richard Grenell është apo jo personi i duhur për dialogun Kosovë–Serbi varet nga mënyra se si përkufizohet suksesi i këtij procesi. Nëse synohen rezultate të shpejta dhe marrëveshje pragmatike, ai mund të jetë një zgjedhje funksionale. Por nëse prioriteti është një zgjidhje e qëndrueshme, e bazuar në besim dhe barazi, atëherë roli i tij mbetet i diskutueshëm. Kështu, dilema nuk qëndron vetëm te individi, por te vizioni i përgjithshëm për të ardhmen e dialogut”, përmbylli Zejnullah Jakupi për “Bota sot”.

Të Ngjashme