Lajme

Rihapet qarkullimi në aksin Elbasan-Qafë

Pas disa orësh bllokim total si pasojë e rrëshqitjes së dherave në fshatin Dragostunjë, aksi rrugor Elbasan-Qafë Thanë është rihapur për qarkullimin e mjeteve.

Lajmi është konfirmuar nga Autoriteti Rrugor Shqiptar (ARRSH), i cili bën me dije se puna intensive me mjetet e rënda bëri të mundur pastrimin e rrugës nga masivi shkëmbor dhe dherat që kishin bllokuar trasenë.

Aktualisht, në vendngjarje ndodhen forca të shumta të Policisë Rrugore të cilat në bashkëpunim me punonjësit e ARRSH-së po punojnë për të normalizuar lëvizjen, pasi radhët e krijuara gjatë orëve të bllokimit janë të gjata.

Autoritetet kanë bërë një apel të rëndësishëm për drejtuesit e mjeteve që ndodhen në këtë aks: “Kërkojmë mirëkuptimin e përdoruesve të rrugës dhe respektimin e udhëzimeve të autoriteteve për mbarëvajtjen e qarkullimit,” thuhet në njoftimin zyrtar në rrjetet sociale.

Drejtuesit e mjeteve këshillohen të tregojnë kujdes të shtuar dhe të mos kryejnë parakalime të gabuara deri në shpërndarjen e plotë të trafikut. /rtsh.al/

Të Ngjashme