Organizata e shpallur terroriste “Severna Brigada” dyshohet se ka publikuar sërish kërcënime me jetë ndaj zyrtarëve institucionalë në Kosovë, ndërsa rasti po hetohet nga Policia e Kosovës si vepër penale e terrorizmit.
Sipas raportit të Policisë së Kosovës, kërcënimet janë publikuar përmes rrjeteve sociale dhe dyshohet se kanë ardhur nga organizata e vetëquajtur “Severna Brigada”. Rasti është regjistruar më 28 korrik, ndërsa hetimet po zhvillohen nga njësitet përkatëse të Policisë së Kosovës.
Kjo organizatë ishte shpallur terroriste nga Qeveria e Kosovës më 29 qershor 2023, së bashku me “Mbrojtjen Civile”, për shkak të veprimtarisë së tyre që cenonte rendin kushtetues dhe sigurinë e vendit.
Megjithatë, rikthimi i mesazheve kërcënuese në hapësirën online ka rikthyer shqetësimet për veprimtarinë e strukturave ekstremiste dhe për sfidat që institucionet e Kosovës vazhdojnë të përballen në fushën e sigurisë.
Rasti ka hapur debat nëse këto kërcënime paraqesin vetëm një formë presioni virtual apo janë tregues se strukturat e tilla ende kanë kapacitete për të ndikuar në klimën e sigurisë dhe stabilitetit në vend.
Në këtë kuadër, mbetet pyetja se sa efektive kanë qenë masat e ndërmarra deri tani nga institucionet e sigurisë dhe nëse nevojitet një koordinim më i fuqishëm vendor e ndërkombëtar për parandalimin e veprimeve të tilla.
Lidhur me këto zhvillime, për gazetën “Bota sot” kanë folur eksperti i sigurisë Arben Dashevci dhe profesori i sigurisë, gjenerali në pension Muhamet Racaj.
Dashevci: “Severna Brigada” vazhdon të paraqesë rrezik për sigurinë kombëtare

Eksperti i sigurisë, Arben Dashevci
Eksperti i sigurisë, Arben Dashevci, në një prononcim për “Bota sot” vlerëson se rikthimi i kërcënimeve nga “Severna Brigada” nuk është një zhvillim i ri, pasi sipas tij kjo organizatë ka vepruar edhe më herët duke paraqitur rrezik për sigurinë e Kosovës.
Ai thotë se së bashku me strukturën e ashtuquajtur “Mbrojtja Civile”, kjo organizatë ka qenë e dyshuar për aktivitete që lidhen me terrorizmin dhe destabilizimin e vendit.
“Po, organizata e shpallur terroriste ‘Severna Brigada’ ka publikuar sërish kërcënime me jetë ndaj zyrtarëve institucionalë në Kosovë, pasi këtë e ka bërë në vazhdimësi edhe më parë. Pikërisht kjo organizatë dhe e ashtuquajtura ‘Mbrojtja Civile’ e kanë rrezikuar drejtpërdrejt sigurinë kombëtare të vendit tonë në vitin 2023”, deklaron Dashevci për “Bota sot”.
Sipas tij, veprimet e këtyre strukturave kanë pasur për qëllim krijimin e frikës dhe pasigurisë përmes kërcënimeve, sulmeve dhe formave të tjera të presionit.
“Këta janë të dyshuar për vepra penale të terrorizmit, sepse qëllimi i tyre ka qenë mbjellja e panikut, kërcënimet, sulmet terroriste, si rasti i Banjskës, shantazhet dhe sabotazhet. Publikimet e tyre në rrjetet sociale ngjallin shqetësime për sigurinë institucionale dhe ndikimin e grupeve të tilla në stabilitetin e vendit”, thekson ai.
Dashevci vlerëson se institucionet e Kosovës kanë treguar gatishmëri në trajtimin e këtyre kërcënimeve, por sipas tij sfida nga grupet ekstremiste ende mbetet e pranishme.
“Vazhdimësia e kërcënimeve nga ‘Severna Brigada’ tregon se institucionet e Kosovës ende përballen me sfida serioze nga grupet ekstremiste, por ekziston një vigjilencë maksimale. Organet tona të sigurisë janë shumë efektive dhe masat e ndërmarra deri tani për parandalimin e veprimeve të tilla janë trajtuar me shumë seriozitet”, shprehet ai.
Ai e lidh këtë situatë me atë që e cilëson si luftë hibride ndaj Kosovës.
“Këto kërcënime ndaj sigurisë së zyrtarëve dhe ndaj klimës politike në Kosovë janë pjesë e luftës së egër hibride. Sipas vlerësimit tim, ato drejtohen nga Serbia. Këto struktura nuk gjenden në territorin e Republikës së Kosovës, por veprojnë nga jashtë dhe kërcënojnë të lirë nga rrethi i tyre në Serbi”, deklaron Dashevci.
Ai shton se përballja me këto sfida kërkon bashkëpunim më të madh me partnerët ndërkombëtarë.
“Nevojitet një reagim i koordinuar mes institucioneve tona të sigurisë dhe partnerëve ndërkombëtarë nga Bashkimi Evropian, Mbretëria e Bashkuar dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës, gjithmonë si masë parandaluese për të shmangur përshkallëzimin e situatës”, përfundon ai.
Racaj: Kërcënimet ndaj institucioneve janë kërcënime ndaj shtetit

Profesori i sigurisë dhe gjenerali në pension Muhamet Racaj
Ndërkaq, profesori i sigurisë dhe gjenerali në pension Muhamet Racaj vlerëson se rikthimi i kërcënimeve nga “Severna Brigada” nuk duhet të trajtohet si një incident i izoluar.
Sipas tij, kjo tregon se strukturat ekstremiste që kanë vepruar në veri të Kosovës nuk janë eliminuar plotësisht dhe mund të vazhdojnë të funksionojnë përmes formave të ndryshme.
“Rikthimi i kërcënimeve nga organizata terroriste ‘Severna Brigada’ nuk duhet të shihet si një incident i izoluar apo vetëm si një kërcënim virtual në rrjetet sociale. Përkundrazi, ai paraqet një indikator serioz se strukturat ekstremiste që kanë vepruar në veri të Kosovës nuk janë çmontuar plotësisht”, deklaron Racaj për “Bota sot”.
Ai thekson se kur kërcënimet drejtohen ndaj institucioneve më të larta të shtetit, ato nuk kanë të bëjnë vetëm me individë, por me rendin kushtetues të vendit.
“Kur objekt i kërcënimit bëhen Presidentja, Kryeministri, Kryetari i Kuvendit apo institucionet e tjera shtetërore, atëherë nuk kemi të bëjmë me kërcënime ndaj individëve, por ndaj funksionimit normal të shtetit”, shprehet ai.
Racaj kujton se zhvillimet e viteve të fundit kanë treguar ekzistencën e strukturave të organizuara kriminale dhe terroriste në veri të Kosovës.
“Ngjarjet në Banjskë, sulmet ndaj Policisë së Kosovës, sulmet ndaj pjesëtarëve të KFOR-it dhe veprimet e organizuara kriminale tregojnë se këto struktura kanë poseduar organizim, financim dhe mbështetje logjistike. Për këtë arsye, çdo kërcënim i ri duhet të trajtohet me seriozitet maksimal”, thekson ai.
Sipas tij, institucionet e sigurisë kanë bërë hapa përpara, por lufta kundër ekstremizmit kërkon angazhim të vazhdueshëm.
“Policia e Kosovës, Agjencia Kosovare e Inteligjencës, Prokuroria Speciale dhe institucionet e tjera të sigurisë kanë bërë përparim të dukshëm në goditjen e grupeve kriminale dhe terroriste. Megjithatë, fakti që ‘Severna Brigada’ vazhdon të shfaqet tregon se lufta kundër ekstremizmit nuk ka përfunduar”, deklaron Racaj.
Ai shton se këto kërcënime synojnë krijimin e pasigurisë dhe presionit ndaj institucioneve.
“Këto kërcënime ndikojnë drejtpërdrejt në sigurinë e zyrtarëve shtetërorë dhe në klimën politike në vend. Ato synojnë të krijojnë pasiguri psikologjike, të ushtrojnë presion mbi vendimmarrjen institucionale dhe të minojnë besimin e qytetarëve në aftësinë e shtetit për të garantuar sigurinë”, thotë ai.
Në fund, Racaj vlerëson se Kosova duhet të forcojë koordinimin institucional dhe bashkëpunimin ndërkombëtar për përballimin e këtyre sfidave.
“Policia e Kosovës, AKI-ja, Prokuroria Speciale, Ministria e Punëve të Brendshme, Forca e Sigurisë së Kosovës, KFOR-i dhe partnerët ndërkombëtarë duhet të shkëmbejnë informacion në kohë reale, të identifikojnë burimet e financimit dhe komandimit të këtyre grupeve dhe të ndërmarrin masa parandaluese”, përfundon ai për “Bota sot”.
